Disa prej yjeve të famshëm botërorë kanë ndihmuar në mbledhjen e 128 milionë dollarëve për Organizatën Botërore të Shëndetit, për ta ndihmuar në luftën me koronavirusin. Yjet u bënë bashkë në një koncert që u transmetua globalisht.

Këngëtarë të famshëm si: Lady Gaga, Stevie Wonder dhe Rolling Stones kanë performuar në koncertin që zgjati 8 orë, të quajtur "One World: Together At Home."

Eventi u organizua nga Global Citizen, që bëri me dije sot në Twitter se shuma e donacioneve ka arritur në 127.9 milionë dollar, që do t’i shtohen Fondit të Solidaritetit, të OBSH-së:

“127.9 milionë dollar për luftën ndaj COVID-19. Kjo është fuqia dhe imapakti i One World: #TogetherAtHome.”

Koncerti u nda në dy pjesë, 6 orë një para-show dhe 2 orët kryesore u prezantuan nga Jimmy Fallon, Jimmy Kimmel dhe Stephen Colbert.

Taylor Swift, Elton John, Paul McCartney, Jennifer Lopez, Maluma, Billie Eilish, Rita Ora, John Legend, Jessie J, Camila Cabello, Michael Buble ishin vetëm disa nga këngëtarët që iu bashkuan koncertit me performancat e tyre nga shtëpia. Ndërsa Rolling Stones ia dolën të performojnë për mrekulli "You Can't Always Get What You Want", edhe pse ndodheshin në katër vende të ndryshme.

Burimi: CNN