Dorina Tiko, njëra prej vajzave të grupit të suksesshëm “Spirit Voice”, ishte e ftuar këtë të martë në emisionin “Rudina”, nga ku ndau me publikun emocionet dhe nostalgjinë për grupin e famshëm të vajzave, por edhe jetën e saj 19-vjeçare në Amerikë.

Dorina, nënë e dy djemve, rrëfeu edhe dhimbjen më të madhe të jetës së saj, humbjen e bashkëshortit, por pa harruar sakrificën dhe mbështetjen e familjes që ajo të ndiqte muzikën edhe në Amerikë.

Duke kujtuar grupin “Spirit Voice”, Dorina tha se ajo u bë pjesë me zor, sepse nuk kishte të merrte pjesë në audicione: "Kam shkuar faktikisht tek “Studio Jess”, ka qenë atëherë. Hapën audicione, se deshën të krijonin një grup vajzash. Dhe mësuesja e kantos, Alma Strazimiri, më ka bërë që të shkoja me zor faktikisht, se thoshte do të shkosh, e ke zërin, ndërsa unë i thosha ‘jo nuk më marrin, bëhet kështu, bëhet ashtu’, isha në vit të parë në Lice. Dhe kam shkuar bashkë me mësuesen e kantos në studio dhe kam bërë audicionin dhe u futa në grup."

Pyetjes së Rudinës për “ndarjen” e grupit, Dorina iu përgjigj: “Nuk është se jemi ndarë, jeta vazhdoi, ne ishim rritur. Unë erdha në Amerikë tek bashkëshorti im dhe vazhdova jetën këtu, Elia shkoi në Francë për shkollën, me premtimin që “Spirit Voice” do rikthehet. Ne gjithmonë themi që do nxjerrim dicka, por mundohemi të gjejmë dicka të vecantë, ngaqë ka shumë kohë që “Spirit Voice” nuk ka ardhur me dicka të re. Duam të jetë diçka shumë speciale."

Dorina nuk e dinte se për të ishte rezervuar një surprizë. Plot një vit më parë, kur Soni Malaj mbajti recitalin e saj, Dorina i dërgoi një video, e cila e emocionoi shumë Sonin. Sot, ishte radha e saj t’i dërgonte një video mesazh mikeshës së dashur.

Më bëhet shumë qejfi që në emision sot keni një person shumë të veçantë për mua, Dorinën, pjesëtaren e grupit “Spirit Voice” dhe zemrën time, siç i them unë ndryshe, sepse vërtet është një zemër si person dhe është një njeri që bën diferencën, sepse ka një shpirt të mrekullueshëm, gjithmonë mbështet njerëzit e saj të afërt, është aty për ty në çdo lloj situate, në të mirë dhe në të keq. Në fakt, në kohët që po kalojmë, kemi shumë nevojë për njerëz të tillë. Unë jam krenare që e kam pasur në grup, që e kam shoqe, vazhdojmë të ndajmë të gjitha eksperiencat tona jetësore dhe jemi më pranë se kurrë njëra-tjetrës, pavarësisht se ajo ndodhet në Amerikë”, – tha Soni e emocionuar.

Pasi dëgjoi videon, Dorina tha se “Soni lau hakun, se kështu më ka thënë. Lotët po i mbaja me zor”, - përfundoi ajo në përpjekje për të kontrolluar emocionet.