Vjen një moment kur diçka tërheq si magnet drejt një fokusi absolut...Diçka i ndodhi njerëzimit, botës mbarë, Shqipërisë si pjesë jo e veçuar e fenomenit, që "tronditi" ekzistencën të gjithëve ne! Ishte fillim marsi kur nisi izolimi dhe rastet e para të koronavirusit u shfaqën në shtetin fqinj Italinë dhe më pas edhe tek ne. Asgjë nuk ishte e qartë, panorama dukej ende e turbullt për atë çka na priste, por të gjithë i ndjemë pasojat e goditjes fatale që na dha Covid-19. Shifrat kulmuan, spitalet u mbushën me pacientë, numrat zyrtarë të rasteve pozitiv kalkuloheshin në çdo moment, nga ana tjetër shkenca po mundohej të dilte para pandemisë për të kuptuar "gjenezën" e hakërrimit të këtij armiku të padukshëm që askush nuk e kishte projektuar në fushë betejën e përditshmërisë mes jetës, punës, familjes, e angazhimeve të tjera që sot nuk kanë asgjë të ngjashme me atë të përpara 12 marsit të këtij viti...Sepse ekulibrat tanë ndryshuan, befasisht!

Tani, që duket sikur rreziku ka kaluar dhe kulmi i infeksioneve është kapërcyer, kapitulli i Covid-19 dhe e gjithë kjo pandemi na bëri që ta orientojmë vëmendjen tek ata njerëzit e thjeshtë, që janë në vijën e parë të frontit të luftës, që asnjëherë nuk e kanë kërkuar famën, faqet e para të gazetave, kopertinave, atyre që nuk i kanë "zaptuar" studiot televizive me protagonizëm, janë disa syresh prej tyre që nuk e kanë ngritur lart "flamurin" e të qenit të famshëm, sepse puna dhe profesionalizmi i vendos në të tjera terren edhe më të sigurta. Për Class, ky është një moment i jashtëzakonshëm, një përvojë ndryshe që i "arratiset" lavdisë së protagonistëve VIP, për t'u fokusuar tek ata që kanë identitet tjetër, shumë larg atyre të famshmëve...Ky është një moment për të thënë: Faleminderit!

Faleminderit, jo vetëm mjekut infeksionit Pëllumb Pipero, që në çdo dalje të tijën publike përgjatë ditëve të izolimit ishte aty qëndrestar, me tonin e mpakët, por me modelin imponues të profesionistit që mund ta dëgjoje me ëndje në çdo kohë, për të "qetësuar" ujërat në çdo ditë rreziku të rritjes së kurbës së të infektuarve. Thuajse, çdo të enjte, Dr.Pipero kishte vendin e tij të nderit në emisionin "Opinion" të Blendi Fevziut në TV Klan, pikërisht për profesionializmin dhe përkushtimin e pashoq, i gatshëm çdoherë për t'i dhënë përgjigje çdo pyetjeje të njerëzve, interesit të publikut për çdo paqartësi, frikë, ai ishte aty përballë moderatorit për të ç'tensionuar situatën ku ishin mpleksur bashkë ndjesitë më të çuditshme, nga frikërat tek pasiguritë. Dhe, Pipero nuk është i vetmi hero në vijën e parë të frontit të luftës, së cilit i jemi falënderues për punën e jashtëzakonshme gjatë ditëve të pandemisë, përkushtim i cili vazhdon edhe sot, sepse virusi nuk ka ikur, është ende aty! Një "Faleminderit" të gjitha bluzave të bardha dhe misionit të tyre humanitar, sidmos në këto kohë të mbrapshta që po kalojmë. Deri ditën kur Shqipëria nuk do të shënojë asnjë rast të ri me Covid-19, ajo do të jetë "fitorja" jonë, por mbi të gjitha e bluzave të bardha, e atyre që ishin të parët aty për të siguruar shëndetin e pacientëve të tyre. Si Pipero, e plot profesionistë që ishin në përballje të përditshme në "arenën" e luftës me armikun e padukshëm dhe vazhdojnë ende sot, një "Faleminderit" është shumë pak, përpara sfidave dhe sprovave në të cilat i vendosi kjo pandemi për muaj me radhë. Pipero, tipik si Anti Coronavirusi i Shqipërisë, erdhi në sytë e publikut si zëri dhe figura më e besuar në ditët e vështira të izolimit nga virusi dhe jo vetëm!

E atëherë kur u duk se ritmi i normalitetit po trokiste pak nga pak në jetët e gjithsecilit prej nesh, shumë ngjarje pasuan dhe na u shfaqen jo vetëm si një devijacion i shoqërisë shqiptare, por për një moment na bënë të harrojmë "armikun" e padukshëm me të cilin kishim bashkëjetuar dhe vijojmë ende ta bëjmë për muaj të tërë, si gati gjithë pjesa tjetër e botës. Dhuna, përdhunimi i të miturës vetëm 15-vjeçare nga roja i shkollës në zonën e Paskuqanit në periferi të kryeqytetit, na erdhën si një "shuplakë" e fortë për të na rikujtuar problematikat ulëritëse të cilat shpesh zbehen në përditshmërinë e secilit prej nesh në dukje normale, por sa herë raste të tilla shfaqen, aspak sporadikisht, por si të vërteta të hidhura, na bëjnë të besojmë se pasiguria në botën që jetojmë është karta e maniakëve që 'brofin' në realitetin e cekët që gjejnë, duke bërë viktima të radhës, vajza të reja, të pambrojtura, që kanë një historik familjar të brishtë e që rrethohen nga bashkëmoshatarë që shpesh janë rrezik potencial.   

Sara, vetëm ky është identiteti që njohim përmes lajmeve dhe rrjeteve sociale të së miturës që kërcënohej se do i shkruhej emri nëpër mure nëse nuk pranonte të kryente marrëdhënie seksuale me rojen 65-vjeçar të shkollës dhe me dy shokë të saj të klasës.

Ulëritës si fenomen, as sa ngriti në këmbë shoqata të tëra dhe organizata që operojnë në Shqipëri në mbrojtje të të drejtave të grave dhe vajzave, të minorenëve! Me sloganin e "Fëmijërisë së vjedhur" qindra gra dhe vajza, të rinj, personalitete të jetës publike në vend u bënë palë në marshimin paqësor që u mbajt në sheshin "Nënë Tereza" me misionin e vetëm që nesër të mos ketë Sara të tjera, fatkeqe dhe viktima të një shoqërie abuziviste ku është turp të flasësh me prindërit për pëlqimet, për ndjenjat, për ngacmimet, provokimet, për gjërat jo normale që mund t'i ndodhin gjithkujt. Kur dhunohet apo përdhunohet një vajzë, një grua, një nënë është tronditur një jetë, një familje, një shoqëri.

Në Tiranë u protestua për të gjithë fëmijët e vajzat që u është vjedhur fëmijëria, kundër abuzimit, përdhunimeve e dhunës. Çdo shtatë sekonda në botë, një vajzë me moshë më të vogël se 15 vjeçe martohet, shpesh e detyruar nga prindërit, në një martesë me një burrë shumë më të madh në moshë. Çdo vit janë rreth 15 milionë vogëlushe- nuse dhe 4 milionë prej tyre nuk i kanë mbushur 15 vjeçe. Dhe kjo është një e dhënë tronditëse! Ndaj, gratë dhe vajzat shqiptare ishin të shumta të numër atë ditë në Tiranë në protestën paqësore me pankarta në duar dhe me mesazhe të forta, sepes femrës i është dhunuar figura, prishur dinjiteti, zvogëluar integriteti, harruar dëshira e jetës dhe kuptimi i së ardhmes.  Mendësi që duhet të luftohet, trauma që thellohet gjithë jetën. Viktima kurrë nuk është fajtore, në asnjë moment, në asnjë rrethanë.

Por, mund të jetë konsiderohet viktimë, i riu që u dhunua nga disa policë në kryeqytet, pse kishte shkelur orarin e lëvizjes gjatë ditëve të karantinës. Odiseja e ngjareve që pasuan, pasi videoja u bë publike vijon ende sot, në një kohë kur mamaja e Serandit, djaloshit të dhunuar nga policia kërkon drejtësi për birin e saj. Policia edukon, nuk dhunon! Zhvillimet kulmuan edhe më tej kur drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu zbuloi një video të së ëmës së 15-vjeçarit Zaida Çobo, ku ajo shfaqej me një pistoletë në dorë, video e cila rezuloi një bllof më pas sepse zonja e kishte pjesë të skenarit të filmit ku ajo kishte interpretuar. Z.Veliu e publikoi videon për t'i dhënë një panoramë tjetër publikut, me idenë e familjes problematike nga e cila vjen djali, por ama asgjë nuk e justifikon dhunën e forcave policore kundrejt të miturit. Sigurisht, kjo ngjarje e bëri shumëkënd që ka rolin e prindit në këtë vend, të besojë se sa të pambrojtur e ka fëmijën, se nesër ai mund të jetë fëmija im, i yti, i tjetrit, i çdonjërit prej nesh! Policia që ne duam nuk dhunon! Policia mbron! Policia edukon! Modelet e dhunës verbale ose fizike, nuk duhet të jenë kurrë shembull për një shoqëri, sidomos kur ajo vjen nga instancat që praktikisht duhet të ofrojnë mbështetje dhe kurrësesi të kundërtën!

Ashtu, si policia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në tokën e premtuar me një demokraci aspak të brishtë si e jona, por tepër solide, rasti flagrant i vrasjes së George Floyd, afro-amerikanit që polici i vuri gjunjtë në fyt deri sa pak përpara se të ndërronte jetë, George dëgjohej të thoshte me zërin e dobët: "I can't breathe', "Nuk mund të marrë dot frymë"! George Floyd ngriti në këmbë Amerikën dhe çoi drejt zgjedhjeve të parakohshme shtatë shtete. Kauza për liritë dhe të drejtat e njerëzve me ngjyrë në Amerikën e të bardhëve, ka sjellë edhe njëherë në vëmendje dallimet raciale që ndodhin çdo ditë atje. Edhe në shqiptarët, kemi kaluar ndër vite lloje të ndryshme diskriminimi, përtej atij të ngjyrës së lëkurës apo racial.

"Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën, vetëm drita mund ta bëjë këtë! Urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen, vetëm dashuria mundet..."!Kjo nuk është një shprehje klishe, por një frazë e shkëputur nga libri i Martin Luther King, i shkruar afro 100 vite më parë me titull: "Forca në dashuri"! George Floyd, Martin Luther King dhe paradoksi i një ndryshimi transformues që vjen kaq aktual dhe jetik në ditët e sotme nuk janë dy deklarata të shkëputura nga njëra-tjetra, përkundrazi! Janë dy të vërteta të mëdha që bashkëjetojnë edhe pas kaq shumë vitesh ekzistencë të njerëzimit, histori demokracie, e jo vetëm...