Për të dytën ditë radhazi në vendin tonë janë regjistruar dy viktima si pasojë e koronavirusit. Ministria e Shëndetësisë, në përditësimin e fundit bën të ditur se nga 392 testime të realizuara në 24 orët e fundit janë konfirmuar me COVID-19, 74 persona. Gjendja në spitalin infektiv vazhdon të jetë e rënduar, pasi deri tani janë 89 pacientë të shtruar, nga të cilët 11 janë në gjendje të rëndë dhe një është i intubuar.  

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet me një thirrje çdo qytetari që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat, të shmangin grumbullimet, të ruajnë distancën dhe të përdorin maska në ambiente të mbyllura.

"Dy qytetarë nga Tirana 67 dhe 69 vjeç e kanë humbur betejën me sëmundjen në 24 orët e fundit, megjithë përpjekjet e mjekëve, të cilët po bëjnë të pamundurën në Spitalin Infektiv. Një lutje për qytetarët të tregojnë kujdes, sepse rastet në spitalin infektiv po shtohen çdo ditë e më tepër dhe me gjithë të shëruarit që kanë lënë spitalin në 24 orët e fundit, aktualisht janë 89 pacientë në spital, 11 prej të cilëve në gjendje serioze në terapinë intensive, 1 prej tyre i intubuar në gjendje të rëndë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerave", thuhet në njoftim./ Shqiptarja.com