Edhe pse të rralla, rastet kur një person preket për hërë të dytë nga koronavirusi ekzistojnë. I tillë ishte rasti i ish-banorit të Big Brother 4, Petrit Bylykbashit, i cili njoftoi se pasi e kishte kaluar një herë koronavirusin nuk po kujdesej më, sepse mendoi se nuk mund të infektohej sërish. Por në fakt ndodhi! Madje, ai tha se herën e dytë virusi ishte shumë më agresiv.

Por pse ndodh riinfektimi kur supozohet që trupi të ketë krijuar antitrupa kur e ke kaluar më parë virusin?

Një shpjegim për këtë fenomen ka dhënë zëvendësministrja e shëndetësisë Mira Rakacolli, gjatë një interviste në emisionin “Rudina”.

“Infektimi për herë të dytë nga koronavirusi nuk është një gjë e re dhe nuk është një gjë vetëm shqiptare. Ka disa shpjegime. Një pjesë e sëmundjeve infektive nuk të zë për herë të dytë sepse trupi krijon imunitet. Por nuk është e thënë që të gjithë njerëzit ta krijojnë këtë imunitet. Edhe në rastin e vaksinave, ndodh që një pjesë e vogël e njerëzve edhe pse e bëjnë vaksinën trupi nuk ua krijon imunitetin. Po t’ua bësh analizën nuk e kanë krijuar nivelin e antitrupave.

Tjetra është se nuk dihet akoma nëse virusi lë imunitet të qëndrueshëm apo jo. Ka studime të mbështetura, që edhe në Shqipëri janë bërë prova, që mbas kalimit të sëmundjes në organizëm shfaqen antitrupa. Por sa zgjasin këto anitrupa? A janë antitrupa të qëndrueshme, që nuk zhduken? Edhe kjo është akoma diçka që po studiohet. Sepse nëse antitrupat zhduken, pra nëse ky virus nuk lë një imunitet të qëndrueshëm në organizëm, atëherë edhe problemi i vaksinës vihet në pikëpyetje.

Nëse virusi nuk lë imunitet të qëndrueshëm, pra që kijon antitrupa vetëm për një periudhë, apo që gradualisht bien, atëherë mundësia e riinfektimit është përsëri e madhe. Nga ana tjetër, viruset mund të bëjnë ndryshime në strukturën e tyre, mutacione siç quhen në gjuhën mjekësore, prandaj edhe sikur organizmi t’i ketë prodhuar antitrupat, nuk arrin që ta luftojë atë”, -është shprehur Rakacolli.

Sipas saj, riinfektimi është një fenomen shumë i rrallë edhe në botë.