Shifra alarmante dhe të frikshme nga koronavirusi në Shqipëri. Dy qytetarë humbën jetën ditën e sotme nga koronavirusi te Infektivi, një 70-vjeçare nga Tirana dhe një pacient 66-vjeçar nga Shkodra me sëmundje bashkëshoqëruese duke e çuar në 95 numrin e viktimave në total nga fillimi i pandemisë. Por java nisi me një numër rekord të infektuarish, si asnjëherë më parë, 117 brenda 24 orëve.

Rritja e testimeve në 585 brenda 24 orëve solli edhe numrin e lartë të atyre që rezultuan pozitivë. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 41 raste në Tiranë, nga 9 raste në Shkodër, Kavajë, 7 në Korçë, nga 6 raste Pukë, Lezhë, nga 5 raste Durrës, Kurbin, nga 4 raste në Krujë, Mirditë, Tropojë, 3 në Fier, nga 2 raste në Kolonjë, Lushnje, Vlorë, Mat, dhe nga 1 rast në Memaliaj, Ura Vajgurore, Pogradec, Kamëz, Berat, Elbasan. Situata në spitalin Infektiv në QSUT vijon që të paraqitet e rënduar, teksa në 24 orët e fundit ka shtim të pacienteve të shtruar, ku aktualisht janë 85, 10 në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar, në gjendje të rëndë.

Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 68 qytetarë, duke e çuar në 2014 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.  Në vendin tonë aktualisht janë 1462 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës. Ministria e Shëndetësisë deklaron se java që lamë pas tregoi një trend të rritur të rasteve të konfirmuara pozitive, rritje të shtrimeve në spital, pacientëve që kanë pasur nevojë për trajtim në terapi intensive por edhe pacientë të intubuar.

"Fatkeqësisht kemi pasur edhe rritje të qytetarëve që kanë humbur jetën. Aktualisht kemi transmetim komunitar të përhapjes së virusit në disa bashki të vendit. Është një situatë serioze epidemiologjike e Covid 19 në të gjitha elementët e vlerësimit të saj. Kjo situatë kërkon reflektim nga ana e qytetarëve për të mos e ulur vigjilencën, duke respektuar masat e vendosura, dhe bizneset duke zbatuar protokollet e sigurisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve, të tregojnë kujdes në ambientet e punës, aty ku ofrohen shërbime dhe në çdo ambient publik, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike, shmangni kontaktet dhe vendosni maskat kur nuk është e mundur të ruhet distanca. Respektimi i distancës, vendosja e maskës, higjiena vetjake dhe kolektive janë mënyrat e vetme për të frenuar përhapjen e COVID19.

Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID19" mbyllet apeli.

COVID-19 – Statistika (13 Korrik 2020)
Testime totale                  32938
Raste pozitive                  3571
Raste të shëruara            2014
Raste Aktive                    1462
Humbje jete                     95 (Qarku Tiranë 49, Durrës 15, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 16, Kukës 1, Elbasan 4, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë                   635
Durrës                  218
Shkodër               186
Vlorë                     108
Lezhë                    75
Kukës                    47
Berat                     41
Korçë                    40
Elbasan                 35
Fier                       33
Gjirokastër            24
Dibër                     20

Burimi:Shqiptarja.com