Pakkush arrin të piketojë në vorbullën mbytëse të Perëndimit, një vend atje tej në Lindjen e Mesme ku uji i starvacionit po vlon furishëm e teksa depërton në poret e harruara të enës, nxehtësia e urisë derdhet mbi lëkurën e pafat të fëmijëve që lindën në tokën famëkeqe të shekullit aktual. Një pohim populist “sa e padrejtë është jeta” strehon shpesh krahët e cunguar nga besimi i thyer në fat, trumbeton rastësinë si alternativën e shpagimit të pafajësisë, ngushëllon pamundësinë për t’i replikuar rrethanave, mjaftohet me forcën që i justifikon mbijetesën. Një pohim i pakohë, vokacion i të vërtetës së hidhur për këdo që duhet të refuzojë kthetrat e fatit.

Këmbëzbathur çapit mbi milimetrat e limituara të tokës, zemërthyer prej parashutës së fatit që e uli në Yemen, pabesisht i braktisur nga lakmia e pushtetit që e peshkoi në rrjetë për t’ia sfumuar iluzionin e së nesërmes në një grackë, koshient per sekuestrimin e prosperitetit, fëmija i Yemen-it nuk mundi t’ia rrëmbente fokusin e optikës botës së verbuar nga filtrat e aplikacionit “politikë”,  brohoritja e tij e nënzëshme u lut për ndryshimin që përgjigje nuk pati. Aplikoi për vizën e jetës, por në ambasadën e shpresës strapacohej nga agimi në perëndim, derisa arnimi i hartuar e refuzoi pa burim shkaku. Për të pafatin e gjeografisë, vaksina e starvacionit s’tregtohej në vijën kufizuese tokësore të tij. Fati e lindi në një degë të thyeshme, kishte ëndërr të kacavirrej e të këpuste frutin më lakmues të degës tjetër, por limitet i mundësonin vetëm pozicionimin në skajin e degës, më afër trungut, sepse ëndrra e stisur e jetës e bëri të ngulmonte vetëm në siguri. Ushqimi i tij i përditshëm survejohet për kaftanin e klerikëve të pangopur në sofrën e fortifikuar, aty ku nuhatet padrejtësia ndaj tij.

Në tokën e zbardhur nga skamja, dheu nuk ushqen rrënjët e jetës, aty kalbet shpresa e reformimit e vritet aspirimi i së nesërmes. Në një vend ku fluturimthi plumbat pasohen tangent me fëmijët, ku armata e breshërimave shurdhuese janë dozë vakti, ku makutëria e pushtetit luan instrumente alegjitime, ku lotët e jetimëve të fatit kërkojnë të dëgjohen nga të tretë, pritshmëritë vizatohen mbi zgjimin e tik-takut të ditës tjetër, asgjë më shumë. Perëndimi, definimi statik i demokracisë funksionale e të paprekshme nga faktori ndërkombëtar dhe Lindja, fusha e konflikteve të induktuara nga sadistë të jashtëm, në skenën e jetës ofrojnë duelin e një pasqyre me dy versione, ku reflektohet bipolariteti i momentit të jetuar e nënvizohet luksi kundrejt dyshemes së jetës. Afërmendsh, aplikimi i politikave potenciale të dialogut të perëndimit mund të jetë oferta e pranueshme e shuarjes së diskomfortit territorial në Yemen-in e plumbave, por një alternativë e tillë nuk zgjon interes afatgjatë për ata që ndezin fitilin në fushën e tjetrit.

Pabesia e jetës s’duhet të izolojë në plogështim askënd që frymon, direktiva e induktuar e rrethanave s’është zgjedhje e askujt që guxon. Kush ngrihet mbi fatin, ka potencial të përmbysë çdo ekuilibër e të prekë së afërmi jetën. Ndodh të jesh komisioni i vetes në çrrënjosjen e fatit, ndoshta kjo është detyra në pritje e fëmijës së Yemen-it. Një suport i jashtëm për çdo jetë që zvarritet në mbijetesë, është shpresë, është akt dinjitoz human, është pozicionim në anën e duhur të historisë.