Erioni dhe Blerta kanë pak kohë që e kanë ndarë dashurinë e tyre edhe me publikun, madje kanë rrëfyer edhe historinë e tyre të dashurisë në disa programe televizive së fundi ku kanë qenë të ftuar. Megjithatë, Blerta kishte ende një merak për lidhjen me Erionin – këtë propozimin që tani erdhi si qershia mbi tortë.
Vetëm një natë më parë, në një mjedis të vogël, por me të gjitha detajet e nevojshme për ta bërë realitet ëndrrën e një vajze, edhe Erion Zeqiraj ndërtoi këtë skenë për t’i propozuar martesë së dashurës.
Me tullumbacet karakteristike “Marry Me”, me petale trëndafili, gotat e shampanjës dhe çdo element tjetër që kryefjalë ka dashurinë, skena e ndërtuar ishte sa e thjeshtë, aq edhe përrallore.
Disa prej këtyre momenteve magjike, Erioni i ka ndarë edhe me ndjekësit e tij në rrjet, duke treguar këtë copëz magjie në një natë të nxehtë fillimgushti.
Po përgjigjja e Blertës? Ajo nuk duket ku është, por nuk është nevoja apo jo? Ç’mund t’i thuash tjetër veç “Po”-së një propozimi si ky?
Mos harroni t’ua tregoni partnerëve këto foto magjike… Për frymëzim!