Sipas të dhënave të Shërbimit Meteorologjik, ditën e shtunë vendi pritet të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike. Edhe pse dita nis me kthjellime e vranësira kalimtare, me kalimin e orëve ato bëhen të dendura në pjesën më të madhe të territorit. Reshjet e shiut bëhen prezente fillimisht në zonën e juglindjes dhe prej orëve të mesditës shtrihen në pjesën më të madhe të vendit (përjashtuar zona e veriperëndimit). Reshjet do të jenë të herëpashershme në formën e shtrëngatave, ndërsa në relievet kodrinore-malore, edhe në formën e stuhive apo rrebesheve afatshkurtër.

Përmirësim i lehtë pritet të vijë gjatë ditës së diel me më tepër orë me kthjellime, por edhe me alternime vranësirash. Në relievet kodrinore-malore këto vranësira në orët e nxehta të ditës do të shoqërohen me reshje shiu afatshkurtër në formën e shtrëngatave dhe stuhive. Por, sa i përket vijës bregdetare, ndryshe nga dita e shtunë, parashikohet që të ketë më tepër orë me diell për ata që tashmë ndodhen me pushime.