Renaldo Bano dhe Kevan Hudson janë një çift gay që jetojnë dhe punojnë në Tiranë. Si një çift pa komplekse dhe të gatshëm të flasin për jetën e tyre para të gjithëve, ata kanë rrëfyer historinë e dashurisë në emisionin “Ora e Tiranës” në Top News.

Si është të jesh një homoseksual në Tiranë? Sa të vështirë e kanë personat me orientim seksual ndryshe të përshtaten dhe të jetojnë në një komunitet paragjykues.

Renaldo, 22 vjeç, është njohur me Kevan, një 26-vjeçar nga SHBA, përmes rrjeteve sociale dhe më pas u takuan në një nga kafenetë e Tiranës. Kevan jeton prej disa kohësh në Tiranë dhe punon si mësues anglishteje. Ndërsa Renaldo punon si fotograf dhe editor.

Historia e tyre nisi me një mesazh në Instagram dhe ai që hodhi hapin e parë ishte Renaldo.

“U njohëm në rrjetet sociale. E ndoqëm njëri-tjetrin në Instagram sepse kishim disa miq të përbashkët. Pastaj u takuam në një prej kafeneve të Tiranës. Herën e parë që e pashë, mendova se është i këndshëm. Pastaj thashë me vete ‘nuk mund të mos e pëlqej’. Me kalimin e kohës nisa ta dashuroj”, -thotë Kevan.

Renaldo tregon se ishte dashuri me shikim të parë dhe mendon se do të jetë dashuria e vetme për të.

I bëra mesazh sepse pashë që kishim shokë të përbashkët. M’u duk interesant. I shkruajta, fjalia e parë ishte ‘Hello’, ‘How are you doing’. Më pas i bëra dhe një koment te një postim i tij. Aty filloi gjithçka. Filluan mesazhet, pastaj u takuam. Është partneri i parë dhe besoj se do të jetë vetëm i vetmi. Unë besoj te dashuria me shikim të parë. Dhe nëse është dashuri, pse të mos jetë përgjithmonë?!” 

“Jam shumë i lumtur. Renaldo është një nga gjërat më të bukura që më ka ndodhur kohët e fundit, e kam njohur në një periudhë të vështirë dhe ai hyri si një Superman dhe më ndryshoi jetën”, -tregon Kevan.

Ai rrëfen se u ka treguar familjarëve që është gay para 2 vitesh. Reagimi i tyre ishte suprizë për Kevan, pasi u treguan mbështetës. Ai tregon se vendosi t’ua tregonte përmes email-it, sepse do ta kishte shumë të vështirë t’ua thoshte nga telefoni.

“Mendova se mënyra më e mirë ishte t’ua shkruaja ato që ndjeja në 11-12 faqe. Po, shkruajta vërtet shumë. Në fillim ia thashë babait, gjyshes dhe motrës. Nënës ia thashë një vit më vonë. Përgjigjja e babait ishte: Unë prapë të dua dhe jam krenar për ty. Gjyshja më tha: E dija! Mamit ia thashë para një viti dhe le të themi që kaloi një atak paniku. U shokua, por për mua kjo bën sens. Iu desh kohë që ta pranonte dhe e kuptoj. Nuk mund të pres nga njerëzit e mi që ta pranojnë menjëherë, pasi edhe mua m’u desh kohë që ta pranoj faktin që jam gay”, -shprehet Kevan.

Ndërsa Renaldo tregon se ka humbur shumë njerëz për shkak të orientimit seksual. Shumë miq e mikesha nuk e kuptuan dhe u distancuan.

Renaldo dhe Kevan tregojnë se e ndjejnë veten shumë mirë në Tiranë. Megjithatë nuk afrohen shumë në publik, pasi njerëzit shohin, flasin dhe jo të gjithë i kuptojnë.