Lajmi se Fjolla Morina është arrestuar nga policia pasi i është gjetur një armë bashkë me 23 fishekë në çantë, është përhapur me shpejtësi këtë të shtunë në të gjitha portalet në Shqipëri dhe Kosovë. Një ditë pas arrestimit, është mësuar edhe dëshmia që këngëtarja nga Kosova ka dhënë në polici. Sipas raportimeve të disa mediave, Fjolla ka pranuar se pistoleta që iu gjet në çantë është e saj.

Unë i ndërroj shpesh çantat dhe armën e kisha vënë disa kohë më parë, pikërisht në çantë. E kam haruar aty dhe sot e mora çantën pa ditur që pistoleta ishte ende aty brenda dhe udhëtova drejt Shqipërisë”,- është shprehur ajo.

Fjolla Morina u arrestua mesditën e djeshme në vijën e dytë të kontrollit në Morinë, teksa po udhëtonte me një makinë “Audi Q7”. Policia sekuestroi edhe një pistoletë lodër, si dhe ka arrestuar edhe dy personat e tjerë, të cilët po udhëtonin me të, përkatësisht F.M., 29 vjeç dhe F.S., 29 vjeç. Pas arrestimit, këngëtarja përfundoi në spital, për shkak se nuk po ndihej mirë.