Dhoma e gjumit, më shumë se çdo dhomë tjetër në shtëpinë tuaj duhet të jetë e paqtë dhe komode, që mbyllja e ditës të jetë mjaftueshëm e këndshme. Ky është vendi ku ti mund të shtrihesh, relaksohesh dhe të harrosh çdo stres të ditës. Por jo rrallëherë, gabime të vogla në arredim mund të ndikojnë në prishjen e ekuilibrit të asaj çka dhoma e gjumit përfaqëson dhe qëllimi i “paqes” mund t’ju kthehet në një ankth të bezdisshëm. Class ka sjellë për ju 8 ide dizajni të dhomave të gjumit me këshillat përkatëse që të tregoni kujdesin e duhur dhe të eliminoni çdo gabim që mund t’ju shkaktojë pakënaqësi, duke krijuar një hapësirë të qetë dhe romantike.

Ndriçimi në dhomën tuaj të gjumit është tejet i rëndësishëm, jo vetëm sepse nxjerr në pah tonet e të gjithë hapësirës, por në mënyrë direkte ndikon në humorin tuaj. Çdo ndriçim që është shumë i bardhë apo ai pak më i errët, mund t’ju japë ndjesinë e kaosit, të qenurit ngushtë dhe rrëmujë duke ju cuar potencialisht në dhimbje koke. Vendosja e një ndriçimi të butë e qetësues në dhomë do ju garantojë një hapësirë të qetë, të rregullt dhe shumë komode për shikimin.

Nëse jeni të prirur drejt ngjyrave pink, jeshile ose të verdhë, është e rëndësishme të zgjidhni ngjyra të cilat ju bëjnë të ndiheni paqësisht të lumtur. Ngjyrat pastel në veçanti janë të njohura për efektin e tyre qetësues, por edhe nëse zgjidhni ato më të forta e me kontraste të dukshme, për sa kohë ju bëjnë të ndiheni mrekullisht mirë, Go For it!

Kur më në fund sapo je shtrirë në krevat, pas një dite rigoroze, gjëja e fundit që dëshiron në ato momente është ndjesia e parehatisë. Prandaj edhe zgjedhja e krevatit është “punë” më vete. Ai duhet të përfaqësojë më shumë se sa një vend fjetjeje. Shtrati juaj duhet t’ju japë dëshirën e strukjes në të, të rrini me orë të tëra duke parë filmin tuaj të preferuar apo të lexoni një libër. Fjetja jo e rehatshme dhe gjumi i keq sjell jo vetëm pasoja në humorin e ditës por edhe në probleme shëndetsore të mëtejshme prandaj synoni një dyshek premium, jastëkë të butë dhe një batanije të leshtë.

Sorollatjet nëpër dhomë, kur nuk ke një vend të përshtatshëm për të karikuar telefonin gjatë natës, kur duhet të vendosësh gotën e ujit në dysheme, sepse nuk ke tjetër se ku është mëse e mërzitshme! Zgjidhja? Gjithmonë sigurohuni të keni mini tavolina në formë komodinash krah shtratit të cilat ju japin rehatinë e duhur përsa i përket gotës së ujit, karikuesit të telefonit apo librit që lexoni para se të flini.

Nëse jeni nga ata persona të cilët nuk e pëlqeni ndjesinë e të ndenjurit zbathur, zgjedhja e një qilimi do të ishte idealja. Kur flasim për qilima, na vijnë ndërmend motivet e qilimave që thurnin gjyshet, shumëngjyrëshe e të punuara me dorë, duke i dhënë ambientit ngrohtësinë e dëshiruar. Jo vetëm estetikisht bukur, por kur të zgjoheni në mëngjes, nuk do keni ndjesinë e pakëndshme kur këmbët prekin dyshemenë dhe ajo është -2 gradë, por atë të një vendi të ngrohtë dhe komfort.

Ndonjëherë qetësia mund të jetë shurdhuese! Nëse jeni nga ata persona që nuk ndaloni së menduari përpara se të flini, të ndenjurit në një dhomë të qetë mund t’ju shkaktojë ankth dhe aspak relaks. Synoni të dëgjoni ato që quhen “zhurma të bardha” si ajo e ujëvarës apo pikave të shiut në dritare (të cilën mund ta instaloni në smartphone-in tuaj) dhe jeni gati për një gjumë të qetë, me ëndrra të bukura si ato të filmave.

Rrëmuja shkakton kaos! Kjo është diçka e ditur tashmë, por kur kemi rroba të lëna mbi dysheme apo të tjera të varura në dyert e dollapit, nuk është një pamje dhe aq e këndshme. Fokusohuni në mbajtjen sa më të rregullt, të pastër dhe të organizuar të objekteve në dhomë. Vendosja e gjërave në vendin e duhur mund të ndihmojë humorin tuaj të adaptohet në shtëpizën e qetë të mendimeve tuaja.

Aromaterapia apo difuzimi i vajërave esencialë është një mënyrë fantastike për të larguar stresin apo ankthin por nuk është e vetmja. Vendosni një buqetë në një vazo me lule tek komodina në krye të krevatit dhe prania e tyre mund t’ju sjellë humorin e munguar. Plus, loja e ngjyrave të tyre si miksimi me pastelet apo tonalitetet e së njëjtës ngjyrë është një bonus!