Libri me një fjali

Kur George Orwell shkruante këtë libër, viti 1984 ishte e ardhme. Sot, ai vit
është e shkuar. Por pas kësaj vepre, viti i vërtetë 1984 do të jetë gjithmonë një datë e së ardhmes, viti i fillimit të një epoke të mjegullt për historinë e njerëzimit.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

“1984” është një roman distopik i shkrimtarit anglez George Orwell. “Vëllai
i madh po të vëzhgon” është parulla që lindi prej këtij libri, i cili shumë shpesh është quajtur “roman despotik”, ku një qeveri autoritare shikon dhe kontrollon gjithçka. Ai është një vizion i zymtë i së ardhmes, që shpie në pasojat ekstreme të kushteve dhe prirjeve totalitare të botës aktuale.

Regjimi totalitar i Vëllait të Madh, që vëzhgon vazhdimisht gjithkënd dhe
gjithçka nëpërmjet ekraneve të panumërta, ushtron kontrollin absolut mbi
veprimet dhe ndërgjegjet e njerëzve. Gjithçka i shërben pushtetit. Librat,
gazetat, arkivat dhe mendjet falsifikohen pareshtur, sepse “kush ka në dorë të shkuarën, ka në dorë të ardhmen; kush ka në dorë të tashmen, ka në dorë të shkuarën.”
Uinston Smith është nëpunës në Ministrinë e së Vërtetës, e cila i përkushtohet përditësimit të vazhdueshëm të historisë për t’iu përshtatur rrethanave të sotme dhe aleancave të brishta. Ai bashkë me kolegët e tij mbahen nën mbikëqyrje si një masë kolektive nga prania e kudogjendshme e Vëllait të Madh që sheh dhe di gjithçka. Në romanin “1984” ekranet e televizorit të vëzhgojnë dhe të gjithë përgjojnë njëri-tjetrin. Krimmendimi është “mëkati” që sjell vdekjen, prandaj gjithçka që ndihmon krimmendimin duhet të zhduket: liria, gjuha, ndjenjat.

Me shumë mjeshtëri, George Orwell-i eksploron temat e kontrollit të mass-
medias, survejimin e qeverisë, totalitarizmin dhe metodat e një diktatori për të manipuluar dhe kontrolluar historinë, mendimet dhe jetën e njerëzve në
mënyrë të atillë që askush nuk i shpëton dot.

“1984”, një nga kryeveprat e letërsisë së shek. XX, është lexuar si
manifest dhe si profeci njëherazi. Ende te lexuesi i sotshëm vjen si thirrje për
të jetuar pa kompromis, por edhe sikur na paralajmëron të vërtetën e
ankthshme, se shtetit terrorist që mbjell vdekje është vetëm një hap larg të
kthyerit në realitet: Vëllai i Madh tashmë po na vëzhgon!

Kritika
Papritur, romani i Orwell-it na duket shumë i njohur. Është një botë ku Vëllai
i Madh vëzhgon vazhdimisht dhe mjetet e teknologjisë mund të përgjojnë deri
në shtëpitë e njerëzve; një botë me luftëra pa fund, ku frika dhe urrejtja
drejtohen ndaj të huajve; një botë ku qeveritë ngulin këmbë se realiteti nuk
është “diçka objektive, e jashtme, e vetëqenësishme” por “ajo që Partia beson
si të vërtetë, ajo është e vërteta.”

The New York Times
Romani i Orwell-it është një paralajmërim për racën njerëzore. Ai thekson
rëndësinë e qëndresës përballë kontrollit të masës dhe shtypjes.

The Guardian

Absolutisht i jashtëzakonshëm!

Time
Orwell e krijoi personazhin e O’Brajënit për të paralajmëruar njerëzit nga
intelektuali që e josh pushteti në mënyrë sadiste.

The New Yorker
Është thuajse e pamundur të përmendësh propagandën, mbikëqyrjen,
politikat autoritare apo shtrembërimet e së vërtetës pa marrë si referencë
veprën “1984”. [...] Ai roman është njëkohësisht një ese e thellë politike dhe
një vepër arti tronditëse dhe tragjike.

The Atlantic

Libra si ai i Orwell-it janë një paralajmërim i fuqishëm dhe do të ishte mëkat
i madh sikur lexuesit ta interpretonin “1984” thjesht si një përshkrim tjetër të
barbarizmit stalinist pa e kuptuar se, në atë vepër, fjala është edhe për ne.
Erich Fromm
“1984” nuk u shkrua vetëm për hir të stalinizmit apo për diktaturat në
përgjithësi, por thjesht dhe vetëm për qeveritë. Edhe qeveritë më paternaliste
dukeshin si pjesë e 1984-ës dhe fraza “Vëllai i Madh po të vëzhgon”
përfaqësonte çdo gjë që ishte jashtë kontrollit të individit.

Isaac Asimov
Shumë prej ideve të këtij libri janë bërë kaq shumë pjesë e gjuhës dhe e
trashëgimisë sonë kulturore, saqë lehtësisht mund të harrohet se “1984” në
fakt është një libër. Nga “Vëllai i Madh” te “Dymendimi”, peizazhi i distopisë
që krijoi Orwell-i ekziston edhe në mendjet e atyre që s’e kanë lexuar librin.
Ai është shndërruar në një doracak për totalitarizmin, për shtetin që vëzhgon
gjithçka, për pushtetin e mass-medias në manipulimin e opinionit publik, të
historisë, madje edhe të së vërtetës.

Independent

Mbi autorin
George Orwell, emri i vërtetë i të cilit ishte Eric Arthur Blair, ishte shkrimtar,
eseist, gazetar, aktivist dhe kritik letrar britanik.
Ai ishte një prej eseistëve më të ndritur të kohës së vet dhe kundërshtar i çdo
forme totalitarizmi. U bë i njohur kryesisht për dy romane, në të cilat shkrihet
angazhimi politik dhe pasioni letrar: “Ferma e kafshëve”, një satirë therëse e
retorikës sovjetike për barazinë; dhe “1984”, roman që përshkruan me tone
apokaliptike një botë imagjinare në një të ardhme jo të largët, një roman
fantastiko-politik, prej të cilit lindi dhe cilësimi “oruellian”, që sot përdoret
gjerësisht për të përshkruar mekanizma të ndryshme totalitare të kontrollit të
mendimit.
Si polemist i kthjellët dhe antikonformist që ishte, Orwell-i nuk i kurseu
kritikat as ndaj inteligjencies socialiste angleze, përballë së cilës ndihej krejt i
huaj. Ai ishte dhe mbeti deri në fund socialist i bindur, por ndërgjegjësimi,
edhe për shkak të përvojave tragjike personale, për kontradiktat e thella dhe
gabimet fatale të vijës së ndjekur në Bashkimin Sovjetik, nën drejtimin e Josif
Stalinit, e nxiti që të përqafonte një antisovjetizëm të flaktë, duke u përplasur
kështu me një pjesë të rëndësishme së të majtës europiane të asaj kohe. Në
1946, shkroi: “Çdo rresht të çdo vepre serioze që kam shkruar nga 1936 e
këtej, e kam shkruar direkt ose indirekt kundër totalitarizmit dhe pro
socializmit demokratik, ashtu siç e mendoj unë.”

Fragmente nga libri
1) “Kush ka në dorë të shkuarën, – thoshte parulla e Partisë, – ka në dorë
të ardhmen; kush ka në dorë të tashmen, ka në dorë të shkuarën”.


2) Të dish dhe të mos dish, të jesh i ndërgjegjshëm për të vërtetën e plotë,
teksa thua gënjeshtra të sajuara me kujdes, të kesh njëherazi dy
mendime të barasvlershme, duke e ditur se kundërshtojnë njëri-tjetrin
dhe t’i besosh të dy; të përdorësh logjikën kundër logjikës, të shkelësh
moralin teksa e predikon atë, të besosh se demokracia është diçka e
pamundur dhe se Partia është rojtari i demokracisë; të harrosh gjithçka
duhet harruar, pastaj ta risjellësh në kujtesë në çastin kur të nevojitet,
mandej, befas, ta harrosh sërish: dhe, mbi të gjitha, të zbatosh të njëjtin
proces edhe mbi vetë procesin. Kjo ishte finesa e epërme: me vetëdije
të ushtrosh pavetëdijen, dhe pastaj, edhe njëherë, të bëhesh i
pandërgjegjshëm për veprimin e hipnozës që sapo ke kryer. Madje,
edhe për të kuptuar fjalën dymendim duhej përdorur dymendimi.


3) Pushteti nuk është mjet, është qëllimi. Askush nuk vendos diktaturën
për të mbrojtur revolucionin, por krijon revolucionin për të rrënjosur
diktaturën. Qëllimi i përndjekjes është përndjekja. Qëllimi i torturës
është tortura. Qëllimi i pushtetit është pushteti.


4) Për të ardhmen apo të shkuarën, për kohën kur mendimi do të jetë i
lirë, kur njerëzit të jenë të ndryshëm njëri nga tjetri dhe të mos jetojnë
të vetmuar – për kohën kur do të jetojë e vërteta dhe ajo që bëhet, të
mos zhbëhet: Nga epoka e uniformitetit, nga epoka e vetmisë, nga
epoka e Vëllait të Madh, nga epoka e dymendimit – tungjatjeta!


5) Shtangej kur mendonte se karakteristikat e vërteta të jetës moderne nuk
ishin ashpërsia dhe pasiguria, por thjesht zbrazëtia, fëlliqësia,
indiferenca.


6) Përqafimi i tyre kishte qenë betejë, orgazma e tyre fitore. Ishte grusht
kundër Partisë. Ishte veprim politik.


7) Edhe parullat kanë për të ndryshuar. Si mund të kesh një parullë si “liria
është skllavëri”, kur koncepti i lirisë është shfuqizuar? E gjithë klima e
mendimit ka për të qenë ndryshe. Në fakt, nuk ka për të pasur më
mendime, ashtu siç e kuptojmë sot. Besnikëri do të thotë të mos
mendosh – të mos kesh nevojë të mendosh. Besnikëria është
pandërgjegje.

Titulli: 1984
Titulli në origjinal: 1984
Autori: George Orwell
Përktheu: Sokol Çunga
Zhanri: Roman
Data e botimit: nëntor, 2020
Numri i faqeve: 298
Çmimi: 1000 lekë