Ditët e bukura me mot të kthjellët dhe diell duket se marrin fund gjatë kësaj fundjave. Sipas sinoptikanëve, mbi vendin tonë do të ndikojnë kushte të paqëndrueshme atmosferike, të cilat do të nisin që pasditja e së shtunës.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak thotë se moti gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës, (por dhe pjesën e parë të ditës) nis me diell.

Ndërsa shtimi i vranësirave do jetë në pjesën e dytë të ditës e këto do të jenë më të përqendruara në zonën e veriperëndimit.

Në mesnatën e ditës së diel nisin reshjet e shiut, të cilat do të jenë të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave, shoqëruar me shkarkesa elektrike në pjesën më të madhe të vendit.

Reshjet do të vijojnë deri në orët e pasdites dhe më pas parashikohet gradualisht përmirësimi i kushteve atmosferike, ku reshjet do të humbasin intensitet dhe do të mbeten lokale e të dobëta në formë pikash.

Era do të fryjë e lehtë, me shpejtësi 1-10m/s nga kuadrati i jugut dhe valëzim në det deri 0-1 ballë. Temperaturat, gjatë ditës së nesërme do të vijojnë në vlerat e ditëve të fundit, ndërsa për ditën e diel pritet rënie e tyre për shkak të reshjeve të shiut.