E keni menduar ndonjëherë se mos-suksesi juaj lidhet drejtpërdrejt me ambientin ku jetoni dhe atë që frekuentoni?

Ndoshta është një ambient familjar mbytës, një grup shoqëror toksik ose jeni thjesht ju që nuk krijoni ambientin e duhur për të marrë ‘oksigjenin’ që ju nevojitet.

A ndiheni përherë se e keni kapacitetin e duhur, por nuk mund të ‘shkëlqeni’ aq sa duhet sepse rrethanat nuk janë të tilla? Ndiheni të mbytur dhe të pamundur për ta shprehur veten siç jeni? Ndjeni se talenti juaj po shkon dëm? Atëherë, ju jeni një ‘lule’ që nuk çel sepse ndodhet në ambientin e gabuar.

Teologu, motivuesi dhe shkrimtari i disa librave të famshëm si “Qëllimi”, “Vetë-Perceptimi”, Alexander den Heijer, ka thënë një shprehje shumë të bukur: “Kur një lule nuk çel, rregulloni mjedisin në të cilin rritet, jo lulen.”

Kjo teori është përdorur gjerësisht në shumë fusha të ekonomisë, edukimit dhe të marketingut nëpër botë. Rastet konkrete dhe të suksesshme janë të pafundme nga kompani apo institucione të ndryshme që kanë filluar ndryshimin e ambientit të punës, nga gjërat më bazike si ri-arredimi i mobiljeve deri te ndryshimi i ambientit dhe kalimi në një ambient tjetër. Dhe gjejeni çfarë? Kjo ka dhënë rezultate pozitive te çdo punonjës në atë kompani.

Por pse të mos e vendosim këtë thënie në praktikë dhe në fusha të tjera të jetës sonë? Cili do ishte vërtet impakti i kësaj thënieje nëse e kthejmë në mënyrë jetese?

Atëherë më lini t’ju sjell disa shembuj konkretë nga anketa, të cilat personalisht i kam bërë me një mësuese të shkollës fillore, këtu në Tiranë.

Mësuese Mira, 32 vjeçe, ndan eksperiencën e saj në vitet e para të punës dhe në momentin që zbuloi këtë thënie rastësisht duke shfletuar në internet dhe prej aty filloi të reflektonte mbi punën e saj, se si mund ta sillte në praktikë. Ajo thotë:

“Si një mësuese e re për mua ishte shumë e vështirë të shikoja që disa nxënës nuk kishin interes për orën e anglishtes dhe ajo çfarë më mërziste jashtë mase ishte se këta nxënës ishin shumë të talentuar dhe inteligjentë. Atëherë fillova të mendoja se çfarë mund të bëja që t’u rrisja interesin këtyre nxënësve, në mënyrë që ata të mos ndrydhnin kapacitetin e tyre dhe të ishin të kënaqur si gjysma tjetër e klasës. Fillova të mendoja se si mund të bëja ndryshime të vogla në ambientin e klasës. Ri-arredova klasën, bëra disa ndryshime të vogla në dukje, por që të gjithë nxënësit e vunë re dhe u ndikuan pozitivisht ndaj tyre. Ndryshimet ishin vendet në të cilat nxënësit qëndronin, shoku i bankës, sollëm disa lule nga shtëpia dhe i vendosëm në klasë. E ndryshova qëndrimin e bankave në mënyrën tradicionale në vendin tonë që bankat vihen njëra pas tjetrës dhe i vura ato në rrathë dhe përballë njëra-tjetrës, dyshe. Nxënësit ndryshuan komplet, madje edhe puna në grup. Ndërsa nxënësit e painteresuar filluan të ndihen më mirë dhe jo të veçuar. Rezultati ishte fantastik dhe jam falënderuese që hasa me këtë thënie, dhe gjeta mënyrën për ta vënë në praktikë. U bëj thirrje edhe kolegeve të tjera që të mundohen ta vendosin këtë thënie në zbatim, sepse rezultatet janë reale.”

Kjo ishte vetëm historia e një mësuesje, por në sa e sa fusha mund ta vendosim në praktikë këtë thënie? Sa e sa gjëra mund të ndryshojmë në jetën tonë, vetëm e vetëm me pak përkushtim në ndryshimin e ambientit. Rezultatet do të jenë fantastike!

Kjo thënie mund t’ju ndryshojë perspektivën në jetë, menjëherë!

∗ Nga Zeli Koldashi, ish-pedagoge e jashtme e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja