Ndërsa qeveritë botërore kaluan shumicën e vitit 2020 duke u përpjekur ta kenë nën kontroll pandeminë e koronavirusit, fjalori i Collins ka zgjedhur "lockdown" (izolim, karantinë) si fjalën e vitit.

Fjalori i famshëm Collins tha se fjalën, të cilën e përcakton si "vendosja e kufizimeve të rrepta në udhëtime, ndërveprim shoqëror dhe qasje në hapësirat publike" u zgjodh, sepse ishte një "përvojë unike për miliarda njerëz në të gjithë botën".

Gjashtë nga 10 fjalët e përzgjedhura ishin të lidhura me pandeminë duke përfshirë “koronavirus”, “vetizolimin” dhe “distancim shoqëror”.

Më shumë se 50.2 milionë raste të koronavirusit të ri janë regjistruar në të gjithë botën dhe mbi 1.2 milion njerëz kanë vdekur, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Collins regjistroi më shumë se 250 mijë kërkime të "lockdown" gjatë vitit 2020, kundrejt vetëm 4,000 të një viti më parë.

Fjalë të tjera të listës janë "TikToker", të cilën Collins e përcakton si "një person që rregullisht ndan ose shfaqet në video në TikTok", një aplikacion për ndarjen e videove.

Fjala “BLM”, shkurtim i “Black Lives Matter”, ishte gjithashtu në grupin e më të kërkuarave. Collins e përkufizon si "një lëvizje që bën fushatë kundër dhunës dhe shtypjes së motivuar raciste. BLM filloi si një lëvizje në internet, e shkaktuar nga vrasja e adoleshentit të paarmatosur Trayvon Martin në 2012, në Shtetet e Bashkuara".