Make-up artisti i njohur nga Prishtina, Arbër Bytyqi, ishte pasditen e sotme i ftuar në “Rudina”, në Tv Klan, për të ndarë me publikun disa prej sekreteve të profesionit të tij, por edhe për të rrëfyer më shumë për veten dhe jetën e tij jashtë profesionit.

Grimieri ka rrëfyer historinë tragjike të jetës së vet, humbjen për një kohë të shkurtër të vëllait 32-vjeçar dhe pas tij edhe të atit, raportin e ngushtë që ka me të ëmën dhe sakrificat që i është dashur të kalojë gjatë rrugëtimit të tij.

Ndër të tjera, Bytyqi ka treguar se puna me personazhet e njohur nuk është edhe aq e thjeshtë, edhe për shkak se ato kanë kërkesa të larta për dukjen e tyre në skenë, në videoklipe, si edhe në dalje të tjera publike. Mes disa emrave, grimieri i njohur ka veçuar edhe disa këngëtare shqiptare, siç janë Era Istrefi, Dafina Zeqiri, Dhurata Dora, Tayna etj.

Era është një ndër personazhet që e di saktë çfarë do, vjen me foto apo ka diçka për inspirim, është e guximshme, ka shumë shije dhe, në përgjithësi di ta bëjë vetë make up-in shumë mirë. Është sfidë të punosh me Erën, sepse ka punuar edhe me make up artist shumë të njohur, kështu që është shumë kënaqësi të punosh me të".

Bytyqi ka folur edhe për projektet që ka realizuar me Dafina Zeqirin. Ai tregoi më shumë për këngëtaren duke treguar shijet e saj për grimin.

Rudina Magjistari: Pse të zgjedhin VIP-at ty, çfarë gjejnë tek puna jote apo tek mënyra se si punon?

Arbër Bytyqi: Kanë arritur të gjithë në një pikë që të më besojnë. Jo vetëm në aspekt të make-up por edhe në përgjithësi sa i përket modës, veshjes, stilimit të flokut. Janë krijuar edhe raporte shoqërore, por normal që është edhe eksperienca që arrin pas disa viteve punë së bashku dhe normal që ndihen më rehat.

Rudina Magjistari: Dua të veçoj Dafina Zeqirin me videoklipin e saj të vitit të kaluar në të cilin ti ke realizuar 5 pamje të ndryshme të saj. Më trego pak, çfarë të inspiroi për të realizuar këto të 5-ta dhe pse erdhi në këtë formë?

Arbër Bytyqi: Qëllimi ka qenë të paraqit Dafinën në 5 forma të ndryshme, me 5 Dafina të ndryshme. Në përgjithësi grimet kanë qenë pak më shumë eksperimentale, pra kemi shkuar në kombinim me paruket, me lentet, me flokë. Idea është vendosur paraprakisht dhe realizimi ka qenë për një ditë e gjysmë, kemi xhiruar. Kështu ka qenë një sfidë më vete sepse ka qenë bashkëpunimi im i parë.

Rudina Magjistari: Pra, për një ditë e gjysmë ti ke realizuar 5 lloje grimi dhe ndërkohë dhe xhirimet?

Arbër Bytyqi: Po, kemi punuar pa ndalur dhe ia kemi arritur qëllimit.

Rudina Magjistari: Na trego ndonjë sekret për Dafina Zeqirin, në çështje me make-up, diçka që nuk e dimë.

Arbër Bytyqi: Dafina Zeqiri është një artiste e vërtetë, eksploron me pamjen. Çfarë do që vendos për make-up nuk kundërshton asnjëherë, është për të ndryshuar dhe për t’u dukur ndryshe. Në jetën e përditshme nuk grimohet fare, e ka fytyrën shumë të pastër dhe nuk vendos fare make-up. Vetëm kur del në skenë.