Ka ndërruar jetë si pasojë e ndërlikimeve nga Covid-19 ish-deputeti Marko Bello. Bello ndodhej në një spital në Turqi, ku po merrte mjekim të specializuar, prej 23 ditësh. Ai nuk e fitoi dot betejën me virusin e rrezikshëm, duke u ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare.

Për lajmin e hidhur ka reaguar edhe presidenti Meta në Facebook, ku ka shkruar:

"Sa shumë dhimbje nga kjo ikje e parakohshme e një miku, bashkëpunëtori, kolegu, intelektuali aktiv, qytetari model e familjari shembullor! Zoti i dhëntë forcë Silvanës, fëmijëve e të afërmve për këtë humbje kaq të madhe, që na tronditi të gjithëve këtë mëngjes! Ngushëllimet më të ndjera! Përherë i paharruar në kujtimet tona! Lamtumirë i shtrenjti ynë Marko Bello.”

Marko Bello ka qenë deputet i PS-së për 3 mandate nga viti 2001-2013. Gjithashtu ai ka mbajtur dhe postin e ministrit për Integrimin Evropian dhe ministër shteti për Koordinimin Qeveritar. Në periudhën 1997-2000, Marko Bello ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Rumani dhe më pas si zv/ministër i Mbrojtjes.