Viti 2021 ka pak orë që ka nisur dhe, sipas parashikimeve, do të jetë një vit i mbarë. Kështu thonë astrologët, kështu thotë edhe shkenca. Një shpresë e re për të gjithë, por edhe një bindje se viti që vjen do të jetë më i mirë se ai që shkoi.

Po çfarë mund të bëjë secili nga ne për çdo vit të ri që vjen?

Gjëja e parë që shumë njerëz mendojnë sapo trokasin gotat, natyrisht, mbi të gjitha, është dëshira për të pasur shëndet të mirë dhe pastaj premtimi për t’u bërë njeri më i mirë.

Me gëzimin e Vitit të Ri, ne tentojmë të besojmë se çdo gjë është e mundur me një fillim të ri, por në fakt, asgjë nuk ndryshon. Të gjithë fillojmë të ngrihemi në orën 7:00 të mëngjesit më 4 janar dhe Viti i Ri vazhdon në këtë mënyrë me shumë pak ose aspak ndryshime.

Ideja e bilancit në fundvit dhe një plani në hyrje të vitit të ri daton te babilonasit, të cilët kërkonin që t’u paguanin borxhet pronarët e tyre dhe të ishin njerëz më të mirë në fillim të çdo viti të ri.

Tradita e tyre vazhdoi të praktikohej nga romakët, të cilët i premtonin Janusit, zotit që i dha emrin në muajin janar.

Bërja e një premtimi për veten në fillim të një viti është një traditë që, sigurisht, njerëzit e kanë praktikuar për mijëra vjet. Sipas një sondazhi vjetor, publikuar në infogram.com, në vitin 2020, objektivat më popullore për vitin e ri ishin:

Të jem njeri më i mirë

Të shpenzoj më pak para

Të kursej më shumë

Të kem jetë të shëndetshme

Të ha më pak etj.

Megjithatë, 56 për qind e njerëzve, në fakt, nuk kanë ndonjë objektiv për Vitin e Ri dhe kjo nuk është e habitshme. Ky është një sondazh i kryer në SHBA, por mund të zbatohet për të gjithë njerëzit në mbarë botën.

Çelësi për zgjidhjen e suksesshme dhe vendosjen e objektivave në fillim të vitit të ri është të jesh i ndershëm me veten dhe të vendosësh objektiva reale.


Cila janë disa prej tyre?

Vendos një qëllim dhe përcaktoje me detaje – është mënyra më e mirë për të filluar. Për shembull, dua të nis një stil të ri jete, po si? Duke filluar të ushqehesh me ushqim të shëndetshëm, aktivitet sportiv të rregullt. Disa njerëz që urrejnë të shkojnë në palestër, mund të gjejnë mënyra të tjera për të vënë në punë muskujt etj.

Mbaj premtimet. Të angazhohesh, t’i bësh vetes premtime e pastaj t’i mbash mund të jetë gjëja më e vështirë, por edhe në këto raste mund të kërkosh dhe të gjesh mbështetje nga njerëzit e dashur. Është shumë më mirë sesa t’i japësh llogari vetes.

Konsideroji premtimet si detyrë. Nëse vërtet dëshiron të kesh një fillim të ri, mendo se këto premtime që i bën vetes janë si një detyrë. Kur diçka kthehet në detyrë, nuk ka gjasa që të kënaqesh me të. Por konsideroji qëllimet si një udhëtim argëtues. P.sh. nëse vërtet dëshiron të biesh nga pesha, nise duke lënë mënjanë ëmbëlsirat, por jo aq shumë sa të ndikojnë në dietën e përditshme. Fillo më tej të bësh pilates, nëse je në grupin e njerëzve që nuk shkojnë asnjëherë në palestër etj.

Këto ndryshime të vogla dhe efektive në mënyrën e jetesës, si fillim do të të përgatitin për vitin që ke përpara. Duke filluar nga sot, mendo edhe një herë çfarë ke prioritet këtë vit. Nëse është një dietë e shëndetshme, atëherë fillo me pastrimin e frigoriferit.