Qeveria në Itali ka vendosur që të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme, si një përpjekje për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Mësohet se gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në fuqi deri në muajin prill.
Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, deklaroi sot se shifrat aktuale nuk tregojnë se virusi ka humbur fuqinë e tij dhe po përhapet më pak.
“Në javën e kaluar ka pasur një përkeqësim të përgjithshëm të epidemisë, ne jemi përsëri në një fazë ekspansioniste“, deklaroi Speranza në dhomën e ulët të parlamentit.
Gjendja e jashtëzakonshme ishte caktuar të skadonte në fund të këtij muaji, por tashmë me rastet që po rriten do të vijojë të jetë në fuqi dhe për të paktën 3 muaj.
Sipas ligjeve në Itali, gjendja e jashtëzakonshme i jep pushtet më të madh qeverisë qendrore, duke e bërë më të lehtë për zyrtarët të anashkalojnë burokracinë për shumë vendimmarrje në Itali.
Italia ka regjistruar 79,819 vdekje nga COVID-19 që nga nisja e pandemisë në shkurt të vitit të kaluar. Itali është vendi i dytë me numrin më të lartë të vdekjeve në Evropë dhe i gjashti për në botë. Po ashtu ka raportuar 2.303 milionë raste COVID-19 deri më tani.
Çfarë do të thotë gjendje e jashtëzakonshme?
Gjendja e jashtëzakonshme u jep autorizime të veçanta autoriteteve kombëtare dhe rajonale në trajtimin e shpejtë të pasojave nga kriza covid-19, duke shkurtuar burokracinë për të zbatuar rregulla dhe ndryshime ligjore, modifikime ose revokime ndaj masave të urgjencës nëse kërkohet. Gjendja e jashtëzakonshme e Italisë u shpall që në 31 janar të vitit 2020. Pritej të mbarojë më 31 Janar 2021, por qeveria do të zgjasë masën deri më 30 prill 2021.