Komisioni i Përhershëm i Vaksinës në Gjermani, STIKO u shpreh kundër shtyrjes së dozës së dytë.”Dhënia e dozës së dytë të vaksinës duhet të pasojë brenda hapësirës kohore të përcaktuar nga studimet e bëra (aktualisht 42 ditë)”

STIKO i sheh dy vaksinat e lejuara të BioNTech dhe Moderna të krahasueshme në lidhje me efektshmërinë, sigurinë dhe efektet anësore, por thekson, se doza e dytë duhet të pasojë me të njëjtin preparat si doza e parë. "Për momentin nuk duhen kombinuar në asnjë mënyrë dy vaksina të ndryshme”, – thekson kreu i Komisionit të Përhershëm të Vaksinimit, STIKO, Thomas Mertens. 

Në Britaninë e Madhe autoritetet e shëndetësisë vendosën për shkak të variantit të ri mjaft infektues të virusit për të vonuar dhënien e dozës së dytë, me qëllim që të marrin sa më shumë njerëz dozën e parë. Autoritetet britanike janë të mendimit, se një dozë e dytë deri në 12 javë me vonesë nuk ndikon në efektshmërinë e vaksinës. Pavarësisht rrugës së përzgjedhur nga britanikët, ajo që është e qartë, është se një dozë e dytë është detyrimisht e nevojshme, sepse ajo e sjell përforcimin e duhur për krijimin e imunitetit të trupit.

Autoritetet e liçensimit kërkojnë respektimin e rregullave të vaksinës

Komisioni gjerman STIKO me rekomandimin e tij ka të njëjtin qëndrim si Agjencia Europiane e Medikamenteve, EMA që e sheh me skepticizëm propozimin e britanikëve: Vërtet që nuk është përcaktuar shprehimisht një kufi i fundit për distancën kohore mes dy dozave të vaksinës së BioNTech/Pfizer, por prova e efektshmërisë bazohet në një studim, në të cilin ofrimi i dozave pasonte në një distancë kohore nga 19-42 ditë, shkruan EMA. Dhënia e dozës së dytë në një distancë kohore prej 6 muajsh nuk përputhet me përcaktimet dhe kërkon një ndryshim të lejes së vaksinës si edhe më shumë të dhëna klinike. Edhe autoriteti amerikan i medikamenteve, FDA ka paralajmëruar nga ndryshimi i distancës kohore për dozën e dytë të vaksinës.

Kurse ekspertë të vaksinës të Organizatës Botërore të Shëndetësisë e quajnë të pranueshme shtyrjen e dozës së dytë tek vaksina e BioNTech/Pfizer. Në raste të jashtëzakonshme një shtrirje kohore me disa javë është e mundur, tha kreu i grupit të ekspertëve për imunizimet të OBSH, SAGE, Alejandro Cravioto para mediave në fillim të janarit.

Ulet efekti tek më të moshuarit?

Sipas ekspertëve gjermanë të STIKO-s, vonesa në dhënien e dozës së dytë mund të dobësojë veprueshmërinë e vaksinës tek më të moshuarit. Për këtë arsye, Komisioni i Përhershëm i Vaksinës vendosi kundër ndryshimit të skemës, tha kreu i STIKO-s, Thomas Mertens për Science Media Center (SMC). Hapësira kohore për pohime të qëndrueshme është ekstremisht e shkurtër, për këtë arsye nuk mund të thuhet asgjë për imunitetin e vazhdueshëm tek personat e moshuar. Përvojat me vaksinimet për sëmundje të tjera të bëjnë të kesh drojën, se antitrupat pas vaksinës së parë tek personat e moshuar mund të shuhen shumë shpejt.

Mutacionet mund të kthehen në problem global

Skema britanike e shtyrjes së dozës së dytë mund të kthehet në problem global, paralajmëron Florian Krammer, studiues i vaksinës në ”Icahn School of Medicine” në Nju Jork. Ekziston mundësia, që një ndryshim i tillë rrit përqindjen e mutacionit të virusit, sipas Krammer. Pas vaksinës së parë numri i antitrupave neutralizues është ende i ulët, kështu që mund të ndodhë të arrihen infektime josimptomatike. Në raste të tilla, ka mundësi për krijimin e varianteve të reja të virusit, të cilat janë rezistente ndaj këtyre antitrupave. Se sa i madh është ky rrezik, kjo është e vështirë të thuhet, por me gjasa ai është i lartë, ”sidomos, kur ka shumë infeksione në popullsi, si aktualisht në Britaninë e Madhe. Variante të tilla mund të bëhen një problem global dhe mund të kthehen në problem edhe për kandidatë të tjerë vaksinash. Nuk duhet t’i hyjmë këtij rreziku”, -thekson studiuesi Florian Krammer.