Infektimet dhe viktimat nga Covid-19 në vendin tonë, prej disa javësh tashmë, po njohin shifra gjithmonë në rritje. Nisur nga situata e rënduar dhe nga ecuria e pandemisë, kjo javë do të jetë vendimtare edhe sa u përket ndryshimeve të masave të reja që priten nga ekspertët. Komiteti Teknik i Ekspertëve do të mblidhet të hënën për të marrë një vendim në lidhje me vijimësinë e masave shtrënguese në vend.

Anëtari i Komitetit Teknik të Ekspertëve, Andi Koraqi, tha për Tv Klan se cilat janë masat që mund të ashpërsohen nëse rritet numri i të infektuarve dhe atyre që kërkojnë shërbim spitalor.

Do të ulet ora e kufizimit të lëvizjes dhe do të kalojmë të gjitha shkollat online. Në asnjë rast nuk do të vendoset për karantinë, sepse edhe vendet që kanë kaluar në karantinë nuk kanë dhënë rezultate”.

Anëtarë të Komitetit Teknik të Ekspertëve janë shpehur disa herë me shqetësim për rritjen e numrit të viktimave e të infeksioneve dhe kanë kërkuar nga qytetarë e biznese t’i respektojnë masat, si mënyrë për parandalimin e përhapjes se virusit.

Numri i të shtruarve në spitale, barometri që shërben për të vendosur ashpërsim apo lehtësim të kufizimeve, ka pësuar gjithashtu rritje gjatë kësaj jave.