Largimi i beftë i Eneda Tarifës solli një fluks lajmesh në portale, ku lakoheshin emra të ndryshëm moderatoresh që mund ta zëvendësonin. Ai i Nevina Shtyllës ishte një prej tyre që ra shpejt sapo u konfirmua zyrtarisht në drejtim Fjoralba Ponari. Moderatorja e “E Diell” dhe, së fundi, e programit “më thuaj një dëshirë”, në fokus të të cilit janë fëmijët, shumë shpejt do të ngjitet edhe në skenën e “Portokallisë, aty ku ajo nuk e kishte menduar veten asnjëherë. Megjithatë, nxitja edhe nga bordi drejtues, ka bërë që, pse jo, edhe Fjoralba, të provojë veten në një profil të ri moderimi, në qendër të të cilit është humori.

E ftuar në “E Diell” këtë të diel, Ponari ka konfirmuar lajmin se ajo do të moderojë sezonin e ri të “Portokallisë” së bashku me Salsano Rrapin, por ndau me publikun emocionet e sfidës së re që e pret.

Po, është e vërtetë. Sapo më është besuar, e them me bindje, projekti më sfidues në televizionin e Top Channel. Bëhet fjalë për “Portokallinë”. Për hir të së vërtetës, ka qenë një nga ato projekte që nuk e kam menduar veten kurrë që do të bëhesha pjesë e aq më tepër që do e moderoja. Për një arsye të thjeshtë, sepse kam menduar historikisht se aty dhuhet të ishte dikush që kishte një background që i përket aktrimit. Megjithatë, po të shihni historikun e moderatoreve, nuk kanë qenë aktore të gjitha apo aktorë të gjithë ata që e kanë moderuar. Por me aq sa më tha dhe bordi drejtues, e rëndësishme është që të kesh të dhëna të mira dhe të jesh bashkëpunues dhe çdo gjë tjetër zgjidhet….” – tha Fjoralba duke shtuar se mbetet për t’u parë “nëse do zgjidhet”.