Vjosa Osmani u shfaq në ceremoninë e së përurimit të dielën, kur pranoi detyrën e re si Presidente e Kosovës, e veshur nga Valdrin Sahiti. Fustani u komentua jo pak dhe nisur nga ngjyra e tij, pati edhe komente se ishte frymëzuar nga nënpresidentja e Amerikës, Kamala Harris.

Në një intervistë për Klan Kosova, stilisti Valdrin Sahiti ka shpjeguar domethënien dhe mesazhin që fsheh kjo veshje. Ai ka treguar se ngjyra lidhet me fuqinë dhe ambicien, ndërsa pelerina jep idenë e një heroine dhe i shton pompozitet ngjarjes.

“Modeli i zgjedhur për inaugurimin e Presidentes ka qenë zgjedhje e imja, e cila transmeton në bazë të ngjyrës dhe formës, mesazhe në opinion. Ngjyra vjollcë, përveç se njihet si ngjyrë mbretërore, lidhet me fuqi dhe ambicie. Ndërsa sa i përket modelit dhe vendosjes së pelerinës, përveç që estetikisht e kam parë të pranueshme dhe të pëlqyeshme, kam menduar që në rastin e sotëm i jep më shumë pompozitet ngjarjes dhe jep bindjen e një heroine. Jo vetëm heronjtë veshin pelerinë, mirëpo në rastin e Vjosës, edhe mund ta quajmë”, -është shprehur Sahiti.

I pyetur nëse ka një lidhje mes fustanit të Vjosa Osmanit dhe veshjeve të grave të njohura amerikane, si Kamala Harris, Jill Biden dhe Hilary Clinton që kanë zgjedhur po ashtu këtë ngjyrë, Valdrin Sahiti tha se këto ngjyra përdoren sepse përçojnë mesazhe. Ndërsa sa i përket modeleve, ai tha se nuk ka ngjashmëri në prerje dhe strukturë.