Punonjësit në të gjithë botën kanë përjetuar një vit të rëndë. Por e ardhmja është premtuese, argumenton Callum Williams.

Pandemia Covid-19 ka goditur punëtorët në të gjithë botën. Ajo ka shkatërruar me miliona vende pune, duke shkaktuar një rënie të punësimit që ishte 14 herë më e madhe se ajo pas krizës financiare të një dekade më parë, sipas një analize që bën 'The Economist'. Në shumë vende, papunësia është rritur në nivele që janë parë për herë të fundit në vitet 1930, sidomos për personat me aftësi të ulëta.......

Puna nuk ishe kaq e keqe para pandemisë

Sidoqoftë, është e vërtetë se pabarazia në të ardhura ishte e lartë sipas standardeve historike. Megjithatë, nga fundi i viteve 2010, pabarazia nuk po ngrihej më dhe madje mund të kishte rënë pak, pasi njerëzit më të pafavorizuar po tërhiqeshin në bumin e vendeve të punës. Kishte më pak punë me paga të ulëta, ose punë që paguajnë më pak se dy të tretat e pagës mesatare. Në Britani, për shembull, nuk ka pasur kaq pak vende të tilla pune që nga viti 1977.

Nuk ka pasur as prova të një “pasigurie” në rritje. Një studim që përqendrohet në Amerikë, Britani dhe Gjermani, nga Alan Manning dhe Graham Mazeine nga London School of Economics, nuk ka dalluar “asnjë trend në pasigurinë subjektive të punës, pavarësisht rritjes së pretenduar të punësimit jo-standard”. Deri në vitin 2019, pjesa e punëtorëve gjermanë që ndiheshin të pasigurt ishte përgjysmuar që nga mesi i dekadës së mëparshme. Vlerësimet zyrtare të punësimit në ekonominë gig treguan se ajo përbënte vetëm një pjesë të vogël të të gjitha vendeve të punës.

Gjithashtu dukej se më shumë njerëz po e shijonin punën e tyre. Në vitin 2019, sondazhi amerikan Gallup, zbuloi se përqindja e amerikanëve “plotësisht” ose “disi” të kënaqur me vendin e punës ishte e dyta më e larta që kur nisi kjo matje në vitin 1993. Treguesit e rritjes së kënaqësisë në punë po viheshin re edhe në Europë. Është e vështirë të bësh krahasime të drejtpërdrejta me epokën e artë ekonomike të viteve 1950 dhe 1960, por nuk ka prova të mjaftueshme që tregojnë se kënaqësia në punë ishte më e lartë asokohe.

Njerëzit e arsimuar mirë në poste me prestigj të lartë, mund t’i konsiderojnë shumë vende pune në tregun modern si të padenja – ndoshta në një nivel intelektual. Por kjo ishte një tjetër ndryshim në vrullin e tregut të punës: vendet e punës po bëheshin më të disponueshme për njerëzit me kualifikime më të ulëta arsimore. Për njerëz të tillë, të qenët i punësuar është një tregues sigurie ekonomike dhe dinjiteti.

Një studim nga Burning Glass, shoqëri analitike e tregut të punës, ka zbuluar se gjysma e punëtorëve të rinj janë në gjendje ta përkthejnë punën e tyre të parë, një që shpesh kërkon më pak se një diplomë bachelor dhe përvojë më pak se dy vjeçare, në një punë me pagë më të lartë, brenda pesë viteve.

Një rrugë e gjatë përpara

Pyetja e madhe është nëse, pas mbarimit të pandemisë, tregjet e punës mund të zhvillohen sërish në këto nivele dhe të funksionojnë edhe një herë për njerëzit e të gjitha fushave. Covid-19 mund të përfundojë duke i përmirësuar gjërat falë përshpejtimit të ndryshimeve që ishin tashmë në proces. Kjo do të ndodhë përmes një sërë rrugësh.

Falë rritjes së punës në distancë, më shumë njerëz do të kenë fleksibilitet se kur, ku dhe si i fitojnë paratë. Sigurisht, shefat nuk do të jenë krejt indiferentë ndaj faktit nëse punonjësit e tyre po punojnë në Nju Jork apo në Niue, por kalimi në një model “hibrid” të punës, ku disa veta punojnë në zyrë dhe disa në shtëpi, tashmë po i detyron menaxherët të bëhen komunikues më të mirë, duke tentuar të rrisin nivelin e kënaqësinë së punës për punonjësit e tyre.

Kjo nuk është mënyra e vetme në të cilën po ndryshon politika. Duke parë humbjet e vitit të kaluar, qeveritë kanë kuptuar përfitimet e një tregu të shëndetshëm të punës, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta dhe të moderuara. Prandaj, pandemia parashikon një rol më të madh për qeveritë sesa mund të pritej më parë, veçanërisht në ruajtjen e punësimit, duke bërë më shumë për të zvogëluar pabarazinë dhe duke krijuar sisteme të hartuara më mirë për të drejtat e punonjësve dhe përfitimet e mirëqenies sociale.

Po automatizimi, një frikë tjetër shumëvjeçare për botën e punës? Disa shqetësohen se përvoja e vitit të kaluar mund t’u japë shefave justifikimin që kanë pritur prej kohësh për të punësuar robotë në vend të njerëzve, duke çuar në papunësi masive. Recesionet dhe pandemitë shpesh provokojnë me të vërtetë një rritje të automatizimit. Por kërcënimi i hamendësuar i një bote pa punë nuk ka gjasa të ndodhë.

Sidoqoftë, në terma afatshkurtër, pyetja më e madhe, mbetet: Sa shpejt mund ta kalojnë tregjet e punës tronditjen e pranverës së kaluar?/monitor.al/