Princi Harry dhe Oprah Winfrey do të bëhen sërish bashkë, por kësaj radhe jo për një intervistë, por për një kauzë madhore. Ata kanë krijuar bashkë një serial dokumentar mbi shëndetin mendor dhe mirëqenien emocionale, që do të transmetohet në AppleTV + këtë muaj.

Apple njoftoi se "The Me You Can Not See", ku do të shfaqen personazhe të famshëm dhe jo të famshëm, së bashku me profesionistë dhe ekspertë të shëndetit mendor, do të jepet premierë më 21 maj.

Winfrey dhe Princi Harry do të organizojnë bisedat dhe do të flasin edhe për rrugëtimin dhe betejat e tyre të shëndetit mendor. Princi Harry ka folur edhe më parë për problemet me shëndetin mendor, me të cilat u përball pas vdekjes së nënës së tij, Princeshës Diana, në vitin 1997.

"Personazhe të njohur, si Lady Gaga dhe Glenn Close, do të bashkohen me një numër të madh njerëzish nga i gjithë globi që jetojnë me sfidat e problemeve të shëndetit mendor dhe adresojnë mirëqenien e tyre emocionale", -ka njoftuar Apple. "Seriali tejkalon kulturën, moshën, gjininë dhe statusin socio-ekonomik për të destigmatizuar një temë shumë të keqkuptuar dhe për t'u dhënë shpresë shikuesve që mësojnë se nuk janë vetëm."

“Ne kemi lindur në jetë të ndryshme, jemi rritur në mjedise të ndryshme dhe si rezultat jemi të ekspozuar ndaj përvojave të ndryshme. Por përvoja jonë e përbashkët është se të gjithë jemi njerëz”, -tha Princi Harry. “Shumica prej nesh mbart një formë të traumës, humbjes ose pikëllimit të pazgjidhur, e cila ndihet, dhe është, shumë personale. Megjithatë, viti i fundit na ka treguar se jemi të gjithë bashkë në këtë, dhe shpresa ime është që ky serial të tregojë se ka fuqi në cënueshmëri, lidhje në ndjeshmëri dhe forcë në ndershmëri."

Ndërsa Winfrey tha se tani, më shumë se kurrë, ka një nevojë të menjëhershme për të zëvendësuar turpin që rrethon shëndetin mendor me mençuri, dhembshuri dhe ndershmëri.