Shtatë fëmijë dhe një mësues janë vrarë nga një sulm me armë, në një shkollë në qytetin rus Kazan.

Më shumë se 30 të tjerë, kryesisht fëmijë, thuhet janë plagosur, nga të cilët 4 prej tyre janë në gjendje kritike për jetën.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se do të rishikonte ligjet e vendit për kontrollin e armëve.

Sipas mediave ruse, dy persona të moshave 19 dhe 17 vjeç u futën brenda në shkollë duke qëlluar me armë. Një prej tyre është arrestuar ndërsa tjetri u qëllua për vdekje nga policia, pasi ky i fundit mori peng disa nxënës në katin e fundit të shkollës.

Gjithashtu mësohet se 19-vjeçari ka qenë nxënës tek e njejta shkollë, të cilën e braktisi 4 vite më parë.

Kujtojmë se një nga sulmet e fundit të këtij lloji, ndodhi në Krime në vitin 2018, kur një student vrau 19 të tjerë para se të kryente vetëvrasje.