Para se të bëhej publik lajmi për divorcin e Bill Gates nga bashkëshortja, Melinda, ai u kishte treguar miqve të tij të golfit për problemet e marrëdhënies në çift dhe madje e përshkroi martesën e tij si pa dashuri. Lajmi është raportuar vetëm tani nga New York Post.

"Bill ka folur me miqtë e tij të ngushtë të golfit," tha një burim për Post. "Ai u tha atyre para pak kohësh që martesa ishte pa dashuri, se kishte mbaruar prej disa kohësh dhe ata po jetonin jetë të ndara".

Kur njoftuan divorcin e tyre më 3 maj, çifti tha në një deklaratë të përbashkët:

"Ne nuk besojmë më se mund të rritemi së bashku si çift në fazën e ardhshme të jetës sonë".

Raportimet thonë se Melinda Gates kërkoi avokatë divorci në vitin 2019, pothuajse në të njëjtën kohë kur dolën publikisht lidhjet e Gates me Jeffrey Epstein.

Daily Beast raportoi se ajo e kishte paralajmëruar burrin e saj vite më parë për Epstein, i cili dihej se ishte dënuar për krime seksuale para se ata të bashkëpunonin për biznes. Duke cituar burime pranë çiftit, media tha se lidhjet e Bill me Epstein e inatosën Melinda-n keq.

Një raportim nga The New York Times gjithashtu sugjeroi se gjuha e trupit të Melinda-s në shfaqjet publike me Gates, tregonte se ajo kishte pakënaqësi vite përpara njoftimit të divorcit.

Një burim tha për People se çifti donte të priste derisa vajza e tyre e vogël të mbushte 18 vjeç para se të njoftonin divorcin.