Miku më i mirë i Amy Winehouse ka rrëfyer së fundmi se ka pasur një debat të madh me këngëtaren, vetëm disa ditë para vdekjes së saj të parakohshme 10 vjet më parë.

Tyler James, i cili ishte mik me Winehouse që kur ishte 13 vjeç, tha në një intervistë të re se ai nxehej aq shumë me dehjet e këngëtares sa largohej rregullisht nga shtëpia e tyre në Londër, ku ata jetuan në vitet e fundit të jetës së saj.

"Sa herë që ajo i rikthehej pijes, unë largohesha sepse isha i shqetësuar se ajo do të mendonte se po e mbështesja. Kështu që unë largohesha dhe brenda dy ose tre ditësh, ajo më thoshte, 'Tyler, eja në shtëpi,' dhe unë kthehesha," -tha ai në emisionin This Morning.

Kur James u largua një ditë në korrikun e vitit 2010, ai nuk e kishte idenë se nuk do ta shihte kurrë më Winehouse të gjallë.

"Kam pasur një debat të madh me të sepse kishte letra nga mjeku që i thoshte se nëse do të pinte më shumë, do të vdiste", tha ai, duke theksuar se këngëtarja nuk konsumoi fare drogë, vetëm alkool, gjatë 3 viteve të fundit të jetës së saj.

Sapo James u kthye në shtëpinë e tyre, ai pa një ambulancë të parkuar jashtë dhe një ndihmës në korridor. Winehouse ishte gjetur e vdekur në shtratin e saj. Ajo ishte vetëm 27 vjeç dhe shkaku i vdekjes u përcaktua të ishte helmimi nga alkooli.

"Ishte si një premierë filmi atje jashtë", kujton autori i "My Amy: The Life We Shared" për London Times, duke iu referuar mbullimit mediatik jashtë shtëpisë së tij dhe Amy-t, pasi u bë publik lajmi i vdekjes.

James, i cili ishte shoku i vetëm që i kishte mbetur Winehouse në atë kohë, tha se ai ende nuk është shëruar nga hidhërimi që erdhi me vdekjen e saj.

"Amy ishte shoqja ime e shpirtit", tha ai. “Ne ishim dy gjysma të të njëjtit person. Asnjëherë nuk e kam paramenduar jetën pa të. Ajo ishte shoqja ime më e mirë.”