Miliarderët “e vetëkrijuar” si Jeff Bezos dhe Elon Musk, kanë arritur fitime kolosale gjatë pandemisë së Covid-19, por raporti i ri tregon se për të qenë vërtet i pasur, nuk ka asgjë më të mirë se paratë e familjes ose ato të trashëguara.

Dhjetë familjet më të pasura në SHBA, duke përfshirë zotëruesit e supermarketeve Walmart dhe të industrive të ëmbëlsirave dhe kozmetikës, panë si asetet e tyre u shumëfishuan gjatë pandemisë, sipas raportit të ‘Institutit të Studimeve Politike’, shkruan The Guardian. Sipas një raporti të fundit, ato e shtuan pasurinë e tyre me të paktën $136 miliardë.

Në vitin 1983 familja Walton, zotëronte $2.15 miliardë. Në fund të vitit 2020, pasardhësit Walton zotëronin një pasuri totale prej rreth $247 miliardë.

Ndërsa familja amerikane që prodhon çokollatat Mars, ka shijuar një rritje të pasurisë me 28%, ose me $21 miliardë, nga marsi 2020 deri në maj 2021.

Dinastia Mars ka nisur në vitin 1911, kur Franklin e Ethel Mars hapën fabrikën e ëmbëlsirave ‘bestseller’ si ‘Milky Way’ e ‘Snickers’ në vitet 1920 e 1930, të cilat menaxhohen sot nga pasardhësit e tyre.

Në vitin 2020, pasuria e kësaj familjeje ishte $94 miliardë, sipas revistës Forbes që është një nga burimet kryesore të raportit.

Mes vitit 1983 e 2020, familja Mars rriti pasurinë nga $2.6 miliardë në $94 miliardë. Ishin vetëm 27 familje që listoheshin në më të pasurit e Forbes në 1983 pasuria e të cilave në 2020-ën, është rritur me 1,007%, në vetëm 37 vjet.

Por edhe mes super-të pasurve ka probleme pabarazie. Super të pasurit u pasuruan më shumë nga kolegët e tyre më pak të pasur, sepse pesë dinastitë më të pasura të SHBA-ve e kanë rritur pasurinë e tyre me një mesatare prej 2,484% nga viti 1983 deri në 2020-ën.

Kjo në një kohë kur pasuria e një familjeje të zakonshme amerikane nga viti 1989 deri në vitin 2019, është rritur vetëm me 93%, sipas raportit, duke përfshirë dhe inflacionin.

Collins, drejtor i Programit të Institutit për Pabarazinë dhe të Mirën e Përbashkët, tha se familjet super të pasura amerikane nuk po bëhen më të afta për t’u pasuruar, por vetëm për të larguar paratë e tyre nga sfera e taksimit.

Një tjetër zakon i të pasurve është lufta ndaj rritjes së taksave. Korporata e familjes Mars për shembull, Mars Inc, ka shpenzuar më shumë se $20 milionë në 10 vitet e fundit për të lobuar mbi çështje si reforma e taksave të pronës dhe e dhuratës”, nga të cilat ka dhënë $720,000 vetëm në 2020.

Javën e kaluar, një investigim nga grupi ProPublica zbuloi se 25 amerikanët më të pasur paguanin “perqindje takse të vërtetë” prej vetem 3.4% në vitet 2014 dhe 2018, megjithëse pasuria e tyre kolektive ishte rritur me më shumë se $400 miliardë në të njëjtën periudhë.

“Një arsye për të cilën duhet të na shqetësojë publikimi nga ProPublica, është masa gjigante e shmangies së taksave, e pasurisë, shumica e së cilës kalon në linjën e gjeneratave. Kështu që, ata përgatisin gjeneratat e ardhshme për shmangie taksore me pasuri të trashëguara”.

The Guardian