Pas trendit të largimit të pijeve nga konferenca, i nisur nga Cristiano Ronaldo, UEFA u ka kërkuar lojtarëve në 24 skuadrat të ndalojnë heqjen e pijeve sponsorizuese të vendosura strategjikisht nga platformat e konferencës për shtyp.

Ronaldo, Paul Pogba dhe Manuel Locatelli hoqën shishet e sponsorve nga pamja e kamerave kur përgatiteshin për konferencat në media këtë javë.

Drejtori i turneut të Euro 2020, Martin Kallen tha të enjten se UEFA ka komunikuar me ekipet në lidhje me këtë çështje.

"Është e rëndësishme sepse të ardhurat e sponsorëve janë primare për turneun dhe futbollin evropian,"- tha Kallen në një konferencë.

Pogba, i cili është mysliman dhe nuk pi alkool, kundërshtoi shishen e sponsorit zyrtar të birrës Euro 2020, Heineken. Birra tregtohet dhe si jo-alkoolike, me alkool 0%.

Kallen tha se rregullat e turneut kërkojnë pajtueshmëri me premtimet e UEFA-s për sponsorët, megjithëse lojtarët me kundërshtime fetare "nuk kanë nevojë të kenë një shishe atje".

Vlerat e marrëveshjeve individuale të sponsorëve nuk janë publikuar, por UEFA mori 483 milion euro në marrëveshje sponsorizuese nga 10 partnerë në Euro 2016 në Francë.

Lojtarët gjithashtu indirekt marrin para nga të ardhurat komerciale të Euro 2020 përmes federatave dhe klubeve të tyre kombëtare.