Ndërsa lehtësimi i masave kufizuese në Angli u shty nga 21 qershori në 19 korrik, mes shqetësimeve në rritje mbi valën e shtrimeve në spital për shkak të variantit Delta të koronavirusit, është kryer një analizë mbi të dhënat më të fundit mbi mbrojtjen e ofruar nga vaksinat.

Çfarë do të thotë efektivitet i vaksinës?

Efektiviteti i vaksinës i referohet mënyrës sesa mirë funksionon një vaksinë në botën reale. Të dhënat bazohen në rezultatet e veçanta, të tilla si infektimi, sëmundja simptomatike, shtrimi në spital ose vdekja.

Nëse një vaksinë e Covid-19 është “90% efektive” kundër sëmundjes simptomatike, kjo do të thotë se njerëzit e vaksinuar kanë një probabilitet 90% më të ulët të zhvillimit të sëmundjes sesa ata që nuk janë vaksinuar. Kjo do të thotë që për 100 njerëz të pavaksinuar që kishin Covid simptomatik, vetëm 10 prej tyre do të ishin sëmurur nëse do të ishin vaksinuar.

Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se shifrat e efektivitetit të vaksinës janë vlerësime që shtrihen brenda një vargu vlerash të mundshme. Varianti Delta, i zbuluar së pari në Indi, i cili tani përbën më shumë se 90% të rasteve të reja Covid në Mbretërinë e Bashkuar, ka ngritur shqetësime pasi duket se është disi më rezistent ndaj vaksinave sesa varianti Alpha që u zbulua së pari në Kent dhe ka dominuar më parë në Mbretërinë e Bashkuar.

Sa efektive janë vaksinat kundër variantit Delta krahasuar me variantin Alpha?

Në përgjithësi, dozat e Covid janë më efektive kundër rezultateve më të rënda, të tilla si vdekja, dhe më pak efektive kundër atyre më pak të rënda, siç është infektimi asimptomatik. Kjo vërtetohet edhe nga të dhënat e mbledhura për dy vaksinat kryesore Covid në përdorim në Mbretërinë e Bashkuar kundër të dy varianteve.

Sipas të dhënave të Shëndetit Publik në Skoci, të paktën dy javë pas dozës së dytë të Covid, mbrojtja ndaj infektimit ra nga 92% për variantin Alpha në 79% për variantit Delta për vaksinën Pfizer / BioNTech , ndërsa për vaksinën Oxford / AstraZeneca mbrojtja ra përkatësisht nga 73% në 60%. Mbrojtja kundër sëmundjes simptomatike gjithashtu është zbuluar se ndryshon në varësi të variantit të Covid-it.

Sipas të dhënave të fundit të Shëndetit Publik në Angli (PHE), katër javë pas një doze, secila vaksina ofroi pothuajse 50% mbrojtje ndaj variantit Alpha. Megjithatë për variantin Delta kjo mbrojtje ishte më e ulët, me një dozë të vaksinës Pfizer / BioNTech duke ofruar rreth 36% mbrojtje kundër sëmundjes simptomatike. Për një dozë të vaksinës Oxford / AstraZeneca kjo shifër ishte rreth 30%.

Dy javë pas dozës së dytë, ndryshimet në efektivitetin e vaksinës sipas variantit ishin më modeste, me vaksinën Pfizer / BioNTech që ofron 88% mbrojtje ndaj sëmundjes simptomatike kundrejt variantit Delta, krahasuar me 94% mbrojtje ndaj variantit Alpha. Për vaksinën Oxford / AstraZeneca, shifrat ishin përkatësisht 67% dhe 74%.

Po në lidhje me vdekjet?

Tani për tani nuk ka të dhëna të mjaftueshme, por rezultatet pritet të jenë premtuese. Sipas Institutit të Shëndetit Publik në Angli “Mbetet ende shumë punë përpara për të vendosur nivelin e mbrojtjes nga vdekshmëria të variantit Delta. Sidoqoftë, ashtu si edhe me variantet e tjera, ky nivel pritet të jetë i lartë”./The Guardian/Monitor/