Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP), në bashkëpunim me MASR dhe “UNICEF Albania” organizuan një konferencë kombëtare për të analizuar arritjet, prioritetet dhe sfidat në politikat arsimore në lidhje me zotërimin e kompetencave të të nxënit dhe me zhvillimin profesional të mësuesve. Gjatë kësaj konference u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet për të diskutuar më tej rreth ndërhyrjeve të mundshme në sistemin arsimor.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja Evis Kushi falënderoi mësuesit dhe ekspertët e arsimit për punën, këmbënguljen dhe solidaritetin e treguar gjatë këtij viti shumë të vështirë për arsimin. Ajo foli për plotësimin e mangësive të njohurive të nxënësve përgjatë këtij viti shkollor:

“Jemi të vetëdijshëm që ka pasur edhe mangësi në njohuri apo kompetenca të nxënësve. Për këtë arsye, në muajt e fundit kemi punuar intensivisht edhe me ekspertët e MASR dhe ASCAP për të hartuar një strategji se si t’i plotësojmë këto mangësi. Ne kemi vendosur që për vitin e ardhshëm 2021-2022, dy javë përpara datës zyrtare të fillimit të vitit shkollor, ne do të kemi mësimin plotësues në të gjitha shkollat tona. Ky do të jetë një plan fleksibël, në varësi të nevojave specifike që ka çdo shkollë apo zyrë arsimore”, është shprehur ministrja gjatë fjalës së saj.

Kushi u shpreh se është bërë një punë kolosale edhe për të afruar sistemin arsimor me vendet më të zhvilluara, ku kurrikula e zbatuar është pikërisht ajo e bazuar në kompetenca.

“Për zbatimin e kësaj kurrikule, peshën më të madhe e kanë mësuesit tanë, prandaj zhvillimi profesional i tyre është shumë i rëndësishëm”,- tha ajo.