Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka bërë të ditur se nga sot qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë drejt Italisë, bazuar mbi rregullat e reja.

Ministria italiane e Shëndetësisë ka publikuar udhëzimin e fundit dy ditë më parë për protokollin e ri të lëvizjes, teksa Shqipëria bën pjesë në vendet e listës D, ku ndër të tjera për ata që shkojnë në Itali është i detyrueshëm një vetëizolim 5-ditor në vendin ku do të qëndrojnë, ndërsa ata që do qëndrojnë më pak se 5 ditë duhet ta tregojnë përmes biletave. Po kështu përcaktohen dhe kategoritë që përjashtohen nga karantina.

Njoftimi i plotë i MEPJ:

Duke nisur nga sot, 31 korrik 2021, të gjithë qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë drejt Italisë, bazuar mbi rregullat e reja.

Ministria italiane e Shëndetësisë, në udhëzimin e saj të fundit, ka bërë të ditur protokollin e ri të lëvizjes edhe për vendet e listës D, ku bën pjesë Shqipëria. https://bit.ly/3C0HM90

Përpara nisjes duhet plotësuar formulari PLF. https://app.euplf.eu/#/

Qytetarët duhet të paraqesin në pikat hyrëse të territorit italian tamponin apo testin molekular. Testet do të paraqiten në pikënisje, ndërsa në udhëtimet tranzit ato nuk do të kërkohen (nëse tranziti nuk zgjat më shumë se 72 orë).