Ndryshimet klimatike nuk po vijnë thjesht për Europën, por po vijnë si kërcënim edhe për Bashkimin Europian.

Europa e veriut do të përballet me përmbytje dhe zjarre, qoftë edhe me ngrohjen në nivelin më të ulët që është parashikuar nga ekspertët, ndërkohë që Marrëveshja e Parisit parashikon kufizimin e ngrohjes globale në jo më shumë se 1.5-2 gradë nga niveli para-industrial. Paralelisht, Europa e jugut do të goditet nga përmbytjet, nxehtësia urbane dhe rrënimi agro-kulturor, që do të krijojë një përçarje edhe më të madhe mes dy grupeve gjeografike që janë përplasur edhe në të shkuarën brenda BE.

Ky është konkluzioni i nxjerrë nga POLITICO pas analizës së 100 kërkimeve shkencore, intervista me shkencëtarë të klimës dhe një raport konfidencial 4200-faqësh i OKB i përpiluar nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike që u publikua në media dhe trajton të gjitha temat dhe njohuritë që kemi për ndryshimet klimatike në botë.

Raporti paraprak i Panelit, që pritet të publikojë gjetjet e tij vitin e ardhshëm, parashikon një shekull të frikshëm përsa i përket pasojave të ndryshimeve klimatike, veçanërisht në vendet e varfëra. Gjetjet e zbuluara nga mediat me gjasa do të jenë të njëjtat edhe në raportin zyrtar, me disa ndryshime në terminologjinë e përdorur dhe në shifrat, teksa qeveri të ndryshme do të rishikojnë tekstin përgjatë këtij viti.

Shkencëtarët më të rëndësishëm të klimës në botë paralajmërojnë se miliard njerëz rrezikohen nga mungesa kronike e aksesit në ujë të pijshëm, ndërkohë që dhjetëra milionë të tjerë rrezikon nga uria, veçanërisht në shtetet që janë afër Ekuadorit, atje ku nxehtësia do të bëhet e papërballueshme për shumë produkte agrikulturore. Këto pasoja mund të shmangen vetëm nëse ne marrim masa urgjente për uljen e nivelit të ndotjes.

Fakti që në pjesë të tjera të botës situata mund të jetë më e keqe, nuk do të thotë se Europa është e sigurt.

“E gjithë popullsia e Europës nuk arrin ta kuptojë plotësisht këtë gjë deri tani. Nuk e dinë se ndryshimet klimatike kanë për të pasur një impakt të madh në jetën e tyre personale.”- thotë për POLITICO Piers Foster, drejtori i Qendrës për Klimën pranë Universitetit të Leeds, i cili është gjithashtu një prej bashkëautorëve të raportit të OKB.

Gjetjet e fundit shkencore vërtetojnë se gjithçka në Europë do të ndryshojë, veçanërisht nëse nuk merren masat e duhura parandaluese, dhe se pjesa më e madhe e pasojave do të shkaktojnë një thellim të ndasive aktuale që do të ketë impakt katastrofik për projektin politik të Kontinentit.

Kapitulli 1: Nxehtësi “vrasëse”

Përgjatë valës së nxehtësisë të vitit 2003, u përjetua gushti më i nxehtë i gjysmës së dytë të mijëvjeçarit, teksa i gjithë kontinenti përjetoi temperatura afro 40 gradë për javë me rradhë. BE vlerëson se rreth 80 mijë njerëz humbën jetën për shkak të kësaj vale nxehtësie. Presidenti francez Jacques Chirac mori pjesë në një ceremoni të zymtë mortore për 57 njerëz trupat e të cilëve nuk u kërkuan nga familjarë apo të njohur.

Skenaret e së ardhmes, sipas shkencëtarëve, do e bëjnë verën e 2003 të duket krejtësisht normale. Sipas kërkimeve shkencore të BE, me rritjen 1.5 gradë celcius të temperaturës mesatare, 1 në 5 banorë të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE do të përjetojnë të njëjtat temperatura çdo vit. Me rritjen prej 3 gradësh, gjysma e popullsisë do të përjetojë çdo vit një verë si ajo e vitit 2003.

Nxehtësia literalisht nxit çmenduri. Një studim italian tregoi se ka një korrelacion të madh mes emergjencave psikiatrike dhe temperaturave ditore. Vetëvrasjet u dyfishuan në Moskë gjatë valës së nxehtësisë që goditi kryeqytetin rus në vitin 2010. Në Madrid rastet e dhunës në familje dhe grave që vriten nga partnerët e tyre shtohet eksponencialisht kur temperaturat tejkalojnë 34 gradë celcius. Netët e nxehta sjellin insomni (mungesë gjumi) klimatike.

Ne nuk po e ndihmojmë situatën. Një pjesë gjithnjë e më e madhe e europianëve i kanë shndërruar shtëpitë e tyre në qendra gjidange të koncetrimit të nxehtësisë. Qytetet janë 5 deri në 10 gradë celcius më të nxehtë se rrethinat e tyre rurale. Në rast se nuk merren masa për të ulur nivelin e ndotjes, qytetet e Europës do të ngrohen nga 6 deri në 10 gradë më tepër. Jugu i kontinentit do të shohë rritjen më të madhe. Në Romë dhe në qytetet e tjera të Mesdheut, nxehtësia do të bëhet aq intensive sa sistemet tradicionale të arkitekturës që bazoheshin për të ruajtur integritetin e tyre në ventilimin natyral të ajrit mund të rrënohen.

Ky është një moment i keq për të eksperimentuar me nxehtësinë. Miliona njerëz emigrojnë nga zonat rurale në qytetet e betonuara, ndërkaq Europa po vjetërohet dhe po bëhet më e brishtë. Rritja e nivelit të mjekësisë dhe ulja e numrit të lindjeve do të bëjë që popullsia mbi moshën 65 vjeç të jetë rreth 40 milion deri në vitin 2050, kjo në një kohë që popullsia në tërësi do të jetë në rënie.

Të moshuarit janë më të rrezikuar për të vdekur nga stresi i nxehtësisë dhe goditjet e valëve të nxehta. Organizmat e të moshuarve janë më të rrezikuar nga azma, apo sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore. Ditët e nxehta sjellin një shtim të shtrimeve në spital, veçanërisht të të moshuarve. Moshimi i popullsisë rrit dhe rrezikun e shtimit të rasteve me diabet, valët e nxehta ngushtojnë arterjet dhe insulina ka më pak efekt.

Përgjatë këtyre viteve nxehtësia mesatare nuk është rritur as me një gradë celcius, por në vitin 2010, 54 mijë njerëz ndërruan jetë në Rusi dhe në Europën Qendrore. Tetë vite më vone, përgjatë një vale nxehtësie që u shkaktua më së shumti nga ndryshimet klimatike, 104 mijë njerëz vdiqën, më shumë se në çdo rajon tjetër të botës për atë vit. Vetëm Gjermani regjistroi 2/3 e vdekjeve që u regjistruan në Indi, sipas revistës mjekësore “Lancet”, ndonëse ka një popullsi 16 herë më të vogël.

Me rritjen minimale të temperaturave vdekjet janë të përqëndruara në Europën jugore dhe qendrore. Nëse ngrohja shkakton rritje prej 3 gradësh, 200 milion europianë, jo vetëm në jug, por shumë edhe në veri dhe në Mbretërinë e Bashkuar do të jenë të rrezikuar nga valët e nxehtësisë. Pa ndryshime të shpejta në mjedis, BE thotë se nxehtësia mund të vrasë 95 mijë europianë çdo vit, 30 herë më shumë se mesatarja aktuale.

Natyrisht, ka masa që mund të marrim. Zgjidhja më e shpejtë është ajri i kondicionuar. Por, edhe ai vjen me problemet e veta. Energjia e përdorur për të freskuar godinat në mesdhe, të cilat janë që tani një burim i madh i emisioneve të karbonit, do të dyfishohet deri në vitin 2035. Në Europën jugore një ndasi ekonomike po krijohet mes atyre që i kanë mundësitë ekonomike për të luftuar të nxehtën dhe atyre që nuk i kanë.

Europa është e destinuar të bëhet një kontinent i nxehtë. Edhe europiano-veriorët do të përballen me rritje të mëdha të temperaturave dhe duhet të fillojnë të mendojnë si jugorët. Godinat që janë projektuar për të izoluar ngrohtësinë gjatë dimrit, bëjnë të njëjtën gjë gjatë verës. Kushton katër herë më shumë për të ndërtuar sistem ventilimi freskues në shtëpi që janë dizenjuar për të luftuar të ftohtën. Për t’u përballuar rrugët e Londrës, Kopenhagenit dhe Brukselit do të duhet të adaptojnë grillat prej druri që shohim në Romë dhe Marsejë apo grillat e bardha që i shohim rëndom në Athinë, Sevijë apo Napoli.

Kapitulli 2: Lojërat e Urisë

Lajmi i mirë, të paktën për disa fermerë në Europë është që ndryshimet klimatike mund të krijojnë disa njerëz që përfitojnë. Dimrat më të ngrohtë, shtimi i periudhës së rritjes dhe shtimi i nivelit të shiut do të thotë se një pjesë e madhe e Europës, veçanërisht në veri do të prodhojë më shumë ushqim sesa sot.

Megjithatë, për pjesë të tjera të kontinentit, një botë më e ngrohtë do të jetë kastrofike. Ndryshimet klimatike do të krijojnë një “perde” shiu në mes të Europës. Lartësitë më të mëdha do të bëhen më të lagështa, ndërkohë që Europa jugore do të thahet. Thatësirat do të bëhen më të shpeshta dhe më esktreme, duke sjellë shkatërrim në fushat e Europës jugore dhe qendrore.

Me 2 gradë rritje të temperaturave, 9% e popullsisë europiane do të ketë mungesë të aksesit në ujë të pijshëm. Në Europën jugore, sipas raportit të OKB, më shumë se 1/3 e popullsisë do të kenë më pak ujë nga sa iu nevojitet. Nëse temperaturat rriten me 3 gradë, rajonet që vuajnë nga përmbytjet do të dyfishohen nga 13% e territorit në 26%.

Rajonat në kufi të detit Mesdhe do të goditen më fort, me shtimin e proporcionit të tokave që vuajnë nga thatësirat nga 28% në 49% në rastet më esktreme. Periudhat pa shi do të zgjasin më shumë dhe do të vazhdojnë gati gjysmën e vitit nga dy muaj që zgjasin tani. Disa pjesë të peninsulës iberike do të përjetojnë thatësira që zgjasin më shumë se 7 muaj në vit.

Mungesa e reshjeve të shiut do e bëjë më të vështirë kultivimin agronomik në Europën jugore. Fermerët do të shohin që bimë të cilat normalisht rriteshin në vendet e tyre do të fillojnë të kultivohen më në veri, ndërkohë që shkretërira e Saharasë do të rritet për të kapërcyer detin Mesdhe. Me 2 gradë ngrohje, kulturat agronomike do të zhvendosen më në veri nga 25 deri në 135 kilometra brenda një dekade.

Fushat me grurë në Europën jugore, që janë kultivuar nga qytetërime të ndryshme për mijëra vite do të bien me 12% në jug, ndërkohë që do të rriten me 5% në veri. Në rast se skenaret ekstreme të ngrohjes realizohen, prodhimi i grurit në jug do të përgjysmohet. Por, vetëm me një rritje prej 1.5 gradësh do të jetë thuajse e pamundur të kultivohen misra në pjesën më të madhe të Spanjës, Francës, Italisë dhe Ballkanit. Një katastrofë kulturore për Italinë do të jetë kur domatet e saj karakteristike të fillojnë të kultivohen në Gjermani.

Fermerët largpamës po tentojnë të ruajnë ujin në toka duke krijuar diga të vogla, ose duke mbjellë pemë. Fermat që funksionojnë kështu do të qëndrojnë në aktivitet më gjatë, por me mungesën e burimeve ujore në rripin e Mesdheut, eventualisht edhe ato do të mbyllen.

Fermat kanë filluar të braktisen që tani në kontinent. Në jug, BE i sheh ndryshimet klimatike si një faktor të ri shumë të rëndësishëm që nxit largimin e familjeve nga tokat e tyre, për të shkuar në qytetet që janë edhe më të nxehta. Komunitetet rurale dhe traditat e tyre po humbin. Fermat që janë trashëguar brez pas brezi tani janë të braktisura, duke krijuar habitate të reja, por edhe bimësi çka shton rrezikun e zjarreve të mëdha. Gjykata Europiane e Auditit zbuloi në dhjetor 2018, se 2/3 e Spanjës rrezikon të shndërrohet në shkretëtirë. Në Qipro, 99% e ishullit mund të shndërrohet në pluhur të pabanueshëm.

Ndarja klimatike do të përkojë dhe me ndarjen historike mes katolikëve dhe protestantëve në Europë. Pasojat e këtyre ndryshime mund të jenë po aq afagjata mbi kontinent. Ndërkohë që veriu do të ekspozohet më shumë përkundrejt diellit dhe shiut, vlera e tokës do të rritet me 9% për çdo gradë rritje të temperaturave. Në rast se nuk bëhet asnjë përpjekje për të ndryshuar teknikat e kultivimit për t’u përshtatur me klimën e re, vlera e tokës në pjesën më të madhe të Spanjës, Francës jugore, Italisë dhe Greqisë mund të pësojë stanjacion për 80 vitet e ardhshme. Goditjen më të madhe do e marrë Italia, e cila aktualisht është një prej ekonomive që prodhon më shumë.

Ndërkohë, fermerët jashtë zonës jugore mund të përjetojnë një “epokë të artë”. Me rritjen e temperaturave pjesë të tjera të botës që dikur ishin produktive, si Lindja e Mesme dhe Azia juglindore, do të kenë më pak kapacitet prodhues. Furnizimi global do të bjerë dhe çmimi i ushqimeve do të rritet. Shtetet jugore do të mbeten djerrë, ndërkohë që Irlanda, Danimarka dhe Holanda do të përfitojnë ekonomikisht.

Kapitulli 3: Përmbytje dhe zjarre

Shtëpitë tona nuk do të jenë më të sigurta. Nxehtësia esktreme, thatësitë dhe rënia e shiut do të shtojë territorin e rrezikuar nga përmbytjet dhe zjarret duke e vendosur jetën dhe pronat e miliona njerëzve në rrezik.

Ajri i nxehtë mbart më shumë ujë. Projektimet tregojnë se përgjatë këtij shekulli, pjesa më e madhe e Europës do të përjetojë 35% më shumë stuhi shiu në dimër, veçanërisht në veri. Në rast se nxehtësia rritet më tepër se 1.5 gradë, përmbytjet do të bëhen një problem i përvitshëm për rreth 5 milion europianë.

Qytetet që tani e kanë të vështirë të mbrojnë qytetarët nga risku i ndryshimeve klimatike.

Sistemet e kullimit të Europës nuk janë ndërtuar për ndryshimet klimatike. Kur reshje esktreme të shiut godasin betonin e qyteteve, sistemet e kullimit nuk e përballojnë dot. Në vitin 2011 shiu në Kopenhagen përmbyti shtëpitë, dëmtoi linjën hekurudhore dhe shkaktoi milion euro dëme. Paçka se ekzistonte një plan për t’u përballur me reshje të shumta dhe të papritura, autoritetet e qytetit iu desh që të shkarkonin ujërat e zeza në det për të shkarkuar sistemin e kullimit, derisa Suedia bëri thirrje që kjo praktikëndotëse të ndalonte.

Godinat, betoni dhe asfalti lenë më pak hapësira për shkarkimin e shiut. Ky është një risk për Parisin, Selanikun, Bukureshtin dhe Barcelonën, ka paralajmëruar Agjencia Europiane e Mjedisit disa vite më parë. Përmbytjet janë veçanërisht të rrezikshme për shtëpitë me pak të ardhura të cilat përgjithësisht jetojnë në zona më të ekspozuara përkundrejt rrezikut dhe nuk kanë sigurime.

Në rast se ngrohja globale rrit temperaturat me 3 gradë deri në fund të shekullit, dalja e lumenjve nga shtrati do të godasë miliona njerëz çdo vit, në krahasim me 170 mijë njerëz që prek sot. Kostot e dëmeve do të gjashtëfishohen nga 7.8 miliard euro që janë sot, ka paralajmëruar Komisioni Europian. Në vitin 2002, përmbytjet në lumenjtë e mëdhenj të Europës qendrore, Elba dhe Danubi, do të vrasin dhjetëra njerëz, do të shkatërrojnë shtëpi dhe do të shkaktojnë miliarda euro dëme në Austri, Gjermani, Republikën Çeke, Sllovaki, Poloni, Hungari, Rumani dhe Kroaci.

Përmbytjet e lumenjve do të jenë të koncentruar në Europën qendrore dhe veriore, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, në një kohë që jugu do të jetë duke u “pjekur” nga thatësia.

Shiu nuk do të jetë i vetmi problem hidrik. Rritja e nivelit të ujërave të detit do të krijojë një problem të madh të përmbytjeve të përhershme në brigjet europiane, veçanërisht për ata që jetojnë në qytetet e ulëta të Holandës, Gjermanisë, Belgjikë dhe në disa nga atraksionet turistike më të mëdha në botë në brigjet veriore të Italisë. Kjo do i kushtojë shumë qeverive edhe nëse do të mund të kenë sukses në heqjen e ndotjes dhe shtimin e mbrojtjeve bregdetare. Dëmet në zonën e bregdetit do të dhjetëfishohen, sipas parashikimeve të OKB.

Në mesdhe, niveli i detit do të rritet me 1.1 metra deri në vitin 2100, në varësi të nivelit të ngrohjes globale. Kjo ekspozon 42 milion njerëz që aktualisht jetojnë në zona të ulëta, ose e thënë ndryshe 37% të zonave bregdetare. Skandinavia do të vuajë më pak nga rritja e nivelit të detit, pasi territori i saj ende po zgjerohet nga shkrirja e akujve shekullorë të krijuara gjatë periudhës së fundit të akullnajave.

Përmbytjet do të rrezikojnë dhe trashëgimninë kulturore të Europës. Ravenna, dikur kryeqyteti i Perandorisë Romake të Perëndimit, Venecia dhe 47 qytetate të tjera të mbrojtura nga UNESCO janë në rrezik nga përmbytjet.

Disa pjesë të Europës do të përmbyten, të tjera do të digjen.

Zjarret shkatërruan rreth 178 mijë hektarë pyjesh dhe tokë në BE në vitin 2018. Suedia përjetoi sezonin më të keq të zjarreve pyjore në historinë e saj në atë vit, ku zjarrfikësve iu desh të shkonin deri në Artik. Me rritjen e temperaturave shumë pjesë të Europës do të bëhen më të thata dhe këto zjarre do të zgjasin më shumë si dhe do të përhapen më gjerë.

Europa veriore dhe perëndimore nuk do të jenë të mbrojtura nga zjarret, por rajoni i Mesdheut ndodhet në një rrezik të veçantë. Pyjet e thatë në Spanjë, Francë, Itali, Greqi dhe Kroaci do të digjen më lehtë se në veri. Zjarret e pyjeve përfshinë Portugalinë në vitin 2017, duke vrarë 64 njerëz dhe duke krijuar një krizë politike.

Tymi mund të jetë po aq vdekjeprurës, teksa mbulon qytetet në re toksike. Ndonëse të dhënat në lidhje me impaktin shëndetësor të zjarreve në Europë janë të limituara, OKB vlerëson se më shumë se 100 njerëz në Portugali ndërruan jetë për shkak të cilësisë së ulët të ajit që u shkaktua nga zjarret pyjorë.

Pyjet që digjen gjithashtu kërcënojnë një nga zgjidhjet e preferuara klimatike të Brukselit: Nuk mund të përdorësh pemët për uljen e nivelit të karbonit, nëse ato janë duke marrë zjarr.

Kapitulli 4: Epidemitë e reja

Mushkonjat jetojnë jetë të shkurtra plot aktivitet, mesatarisht ato ngordhin pas dy javësh, por temperaturat e larta i bëjnë që të jetojnë më gjatë. Viruset që si ai i Nilit perëndimor, fillimisht u mbartën nga mushkonjat përpara se të ngjiteshin tek njerëzit. Sa shumë mund të përhapen tek njerëzit. Sa shumë mund të transportojnë sëmundje këto insekte, varet shumë nga jetëgjatësia e tyre.

Klima e ftohtë e Europës e bënte jetën e vështirë për mushkonjat dhe sëmundjet që ato mund të mbartnin. Por, rritja e temperaturave mund të shkaktojë një shtim të viruseve. Mushkonja aziatike “tigër”, e emërtuar kështu për shkak të vija të bardha që ka në trup mbërriti në Itali në vitin 1990 dhe tani është përhapur në të gjithë Mesdheun duke arritur në veri deri në Belgjikë dhe Holandë. Në 18 gradë celcius, kjo mushkojnë e ka të pamundur shpërndarjen e virusit “chikunganya”, një grip i dhimbshëm dhe lodhës për të cilin nuk ka as trajtim dhe as vaksinë. Por, në 28 gradë celcius, ky virus mund të përhapet.

Kërkues pranë Qendrës Europiane për Shmangien dhe Kontrollin e Sëmundjeve presin që ky virus të përhapet më tepër në Europë me rritjen e temperaturave. Bashkë me të vijnë dhe sëmundje të tjera. Virusi i Nilit perëndimor i mori jetën 180 europianë në 10 shtete përgjatë vitti 2018. Po ashtu si mushkonjat edhe insekte të tjera mund të mbartin sëmundje që me rritjen e temperaturave do të shkojnë deri në Skandinavi dhe në lartësi të mëdha në rajonet alpine.

Kjo shton rrezikun e rikthimit të malarjes, të cilën Europa e zhduku pas Luftës së Dytë Botërore me tharjen e kënatave, me helmet kundër saj dhe me shtimin e medikamenteve parandaluese. Mesdheu mbetet një terren i përshtatshëm për përhapjen e malarjes dhe së bashku me ngrohjen globale, insektet dhe parazitët mund të rikthehen në Europë.

Ndryshimet klimatike mund të krijojnë një krizë të shëndetit publik në të ardhmen, por shkencëtarët ende po studiojnë nëse pati rol edhe në shpërthimin e pandemisë së COVID-19 sot. Por, në përgjithësi ajo që parashikohet është se “ndryshimet klimatike kanë shtuar rrezikun e shpërthimit të sëmundjeve ngjithëse, duke nxitur lëvizjen e specieve të reja që mbartin sëmundje të pahasura më parë në popullata të caktuara”.

Kapitulli 5: Ndasitë në rritje

Për një kontinent që është i obsesuar pas ndarjeve të veta, Bashkimi Europian i ka dhënë pak vëmendje mënyrës sesi ndryshimet klimatike krijojnë një prej përçarjeve të saj më të mëdha. Komisioni Europian parashikon se ndryshimet klimatike do të thellojnë pabarazitë mes veriut dhe jugut, e njëjta ndasi që për pak solli kolapsin e eurozonës dekadën e kaluar.

“Mendoj se ky do të jetë kërcënimi më i madh për kohezionin e Bashkimit Europian që kemi parë ndonjëherë. Një kërcënim edhe më i madh se sfidat ekonomike”- thotë Dara Murphy, ish-ministrja për Europën e Irlandës, e cila ka funksionin e këshilltares në zyrën e konsulimeve “Rasmussen Global”.

Analistët që punojnë në Komisionin Europian janë gjithashtu të shqetësuar. Në vitin 2020 ata publikuan një raport, sipas të cilit impakti ekonomik i ndryshimeve klimatike do të jetë shumë herë më i madh në jug, sesa në veri, kryesisht për shkak të vdekjeve që do të shkaktohen nga nxehtësia. Midis vitit 2000 dhe 2015, Europa ka humbur 300 miliard euro çdo vit për shkak të ndryshimeve klimatike. Me rritjen e temperaturave me 3 gradë, humbjet ekonomike për Europën do të jenë shumëfish i kësaj shume. Impakti i ndryshimeve klimatike do të shtojë pabarazitë ekonomike mes rajoneve të ndryshme të Europës.

Produktiviteti i krahut të punës do të bjerë, veçanërisht në detin Mesdhe. Nxehtësia që tani ka filluar ta bëjë punën në ambjentet e jashtme të rrezikshme dhe potencialisht vdekjeprurëse. Javën e kaluar, Camara Fantamadi, një fermere 27-vjeçare nga Mali ndërroi jetë duke ngarë biçikletën drejt banesës së saj, pasi kishte përfundur punën në mbledhjen e domateve në Puglia në jug të Italisë. Autoritetet rajonale u përgjigjën duke udhëruar fermerët që të ndalojnë punën në orët më të nxehta të ditës.

Ndryshe nga krzizat ekonomike që janë ciklike, defiçiti klimatik do të ndodhë çdo vit. Me rritjen me dy gradë të temperaturave, jugu i kontinentit që prej tani vuan nga borxhet dhe defiçitetet, do të hyjë në një regres të përhershëm ekonomik.

Ky mund të bëhet një problem strukturor për BE, duke thelluar ndarjen mes jugut dhe veriut në Europë.

Heather Grabbe, drejtoresha e Fondacionit për Shoqërinë e Hapur në Bruksel, shprehet se ky mund të jetë një problem i madh për Europën dhe narrativën politike brenda saj.

Ata që hartojnë politikat në BE po kuptojnë se ulja e nivelit të ndotjes në BE nuk do të mbrojë bllokun nga makthet klimatike. Komisioni Europian paraqiti një strategji të re në shkurt për t’u përgatitur me sfidat.

Momenti i probleme klimatike mund të vijë më shpejt nga sa pritet. Në Spanjë, zonat rurale po konsumohen nga shkretëtira dhe ministrja për Tranzicionin Ekologjik Teresa Ribera është ngarkuar me detyrën e ndalimit të progresit të rërës. Në rast se Europa investon tani për të mbrotjur zonat më të rrezikuara, riskojmë të sjellim në jetë “skenarin më të keq, çka do të krijonte një debat të tmerrshëm politik në të gjithë Europën në lidhje me çka duhet luftuar dhe çfarë duhet lënë pas.”

“Shpresoj që Europa jugore nuk do të lihet pas”- ka thënë ajo.

Përshtatur në shqip nga POLITICO/ Tiranapost.al