Italia po planifikon të jetë vendi i parë evropian që do ta bëjë të detyrueshme certifikatën e vaksinës ndaj COVID-19 për të gjithë punëtorët.

Qeveria italiane ka paraqitur një propozim që, nga tetori, certifikatat dixhitale të vaksinave do të jenë të detyrueshme si për sektorin publik ashtu edhe për atë privat.

Ky projekt synon të përmirësojë procesin e vaksinimit dhe të zvogëlojë shkallën e infeksionit mes një rritjeje të mundshme të rasteve të COVID-19 këtë dimër.

Nga 15 tetori, italianët duhet të dëshmojnë vaksinimin, test negativ, apo shërim nga sëmundja për të hyrë në vendet e punës, si në sektorin publik ashtu edhe privat. Për ata që prezantohen në punë pa certifikatën shëndetësore, parashikohen gjoba nga 400 deri në 1 mijë euro. Shkarkimi nuk do të jetë i mundur, por dot ketë pezullime dhe ngrirje të pagës. Masa nxiti reagime të ndryshme.

 “Sipas mendimit tim nuk është e drejtë, pasi unë jam një qytetar i lirë dhe mund të vendos vetë nëse e marr ose jo certifikatën e gjelbër”, u shpreh një qytetar.

E ashtuquajtura “green pass” u konceptua fillimisht si mënyrë për të lehtësuar udhëtimet mes shteteve të BE-së. Por italia është mes një grupi vendesh që e kanë bërë atë të detyrueshme për hyrjen në muze, kinema, palestra apo restorante.

Më vonë, e zgjeroi përdorimin e certifikatës edhe te mësuesit dhe stafi shëndetësor, pavarësisht ndasive lidhur më çështjen mes koalicionit të unitetit kombëtar, të drejtuar nga Dragi.

Rreth 73% e popullsisë prej 60 milionë banorësh në Itali kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, ndërsa 65% janë imunizuar plotësisht.