Beyonce dëshiron që bota të dijë se ajo ndihet shumë mirë tani që ka mbushur 40 vjeçe, duke zbuluar se kjo moshë i ka sjellë një ndjenjë lirie.

Në një letër të rrallë personale drejtuar fansave, të shpërndarë në faqen e saj në internet, këngëtarja tha se është mirënjohëse që është "rritur" dhe refuzon të pranojë idenë që gratë supozohet të ndihen "të vjetra ose të palumtura" sapo të arrijnë 40 vjeçe.

"Kushdo që u përpoq të kushtëzonte gratë të ndienin se ne duhet të jemi të vjetra ose të pakënaqura kur mbushim 40 vjeç, ia futi kot," shkroi këngëtarja, duke shtuar: "Kjo ka qenë absolutisht periudha që jam ndjerë më mirë në jetën time. Unë jam shumë mirënjohëse që jam RRITUR!"

Bey, e cila mbushi 40 vjeç më 4 shtator, thotë se tani ndihet e çliruar ndërsa më në fund arrin të shijojë frytet e punës së saj.

"Sa më e pjekur bëhem, aq më shumë kuptoj dhe aq më thellë rritet gëzimi im. Ekziston një liri dhe çlirim duke ditur se kam arritur në anën tjetër të sakrificës sime. Më në fund, po i jap vetes leje për të shijuar farat që kam punuar shumë për t’i mbjellë gjithë jetën time".

Duke ndarë gjënë më të rëndësishme që ka mësuar këtë vit, Beyoncé shkroi:

"Ky është viti i parë që e kuptoj vërtet se çfarë do të thotë të jesh gjallë dhe të jetosh në këtë moment. Është hera e parë që po kuptoj sa e brishtë është jeta në të vërtetë, sa e vështirë mund të jetë jeta ndonjëherë, dhe për këtë arsye, sa e rëndësishme është të ndalosh dhe të nuhasësh trëndafilat në kohë të mira. Mendova se e dija në moshën 21 ose 30 ... por nuk e dija."

Po ashtu, Beyonce shkroi një shënim me dorë për të falënderuar fansat e saj për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe mesazhet e ditëlindjes.