Titulli: Kamila, si flutur

Titulli në origjinal: Camille, mon envolée

Autore: Sophie Daull

Përktheu: Edmond Tupja

Zhanri: Roman

Data e botimit: shtator, 2021

Numri i faqeve: 166

Çmimi: 800 lekë

 

Ky botim realizohet falë mbështetjes së Qendrës Kombëtare të Librit në Francë.

Libri me një fjali

Përballimi i dhembjes si e vetmja mundësi për të ruajtur gjallë kujtimin e të shtrenjtëve tanë të humbur.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

Në javët që pasuan vdekjen e së bijës, Kamilës, 16 vjeçe, e cila ndërroi jetë në prag të Krishtlindjeve, vetëm pas katër ditësh me ethe të tmerrshme, Sophie Daull filloi të shkruante. Shkruan për të mos harruar Kamilën, vështrimin e saj “të çiltër, pa djallëzi, plot dritë”, çastet e tyre të bukura, të qeshurat e gëzimet; pasojat, zbrazëtinë, organizimin e lamtumirës së fundit, adoleshentët që duhen ngushëlluar, të tjerët, gjestet e të cilëve platisin shpirtin e saj të trazuar... Shkruan për të qëndruar në këmbë, për të kaluar ca orë të ditës në shoqërinë e fëmijës së humbur, për të shmangur valën e mendimeve të liga. Larg të qenit shfryrja e një nëne në zi apo një mauzole – sepse humori qëndron aty me të drejta të plota – ky libër është romani i përballimit të së padurueshmes, ku fjalët zënë vendin e një plani mbijetese: “krijimin e një pike panoramike prej së cilës unë dhe Kamila të vijojmë sërish, së bashku, të soditim botën.” Ky është romani i parë i Sophie Daull-it dhe është nderuar me Çmimin e Debutimit nga Lauriers Verts de La Forêt des Livres.

Kritika

Me një guxim për t’u admiruar, ky libër është i një çiltërsie të rrallë, i një bukurie që, ndonëse e plotë, vijon të rritet gjithnjë e më tepër. "Lire"

Dhembja e dashuria, mbi të gjitha, mbushin këto faqe që lënë një mbresë të pashlyeshme. "Le Parisien magazine"

Mes humorit dhe dëshpërimit, Sophie Daull na dhuron një histori shumë të bukur, të ekuilibruar me shumë zgjuarsi, të sinqertë sa nuk na fsheh asgjë, por pa stërzgjatje të kota, për t’i dhënë lamtumirën e fundit vogëlushes së saj. "Le Télégramme"

Ky libër është universal dhe tronditës. Tamam si aktore, ajo nuk i lë mangët asgjë, përveç patosit “sherbetit të zisë”. Një premtim i bërë ndaj Kamilës, në kujtim të haresë së saj. Sophie Daull e ka mbajtur fjalën mrekullisht. "L’Humanité"

Pa patos, por me shumë humor. Një libër që të mbërthen. "BIBA"

Autorja

Sophie Daull është aktore dhe shkrimtare, lindur më 1965. Studimet e hershme i ka kryer për muzikë në Konservatorin Kombëtar të Strasburgut dhe kjo i dha shtysën për të zhvilluar më tej talentin e saj artistik. Qysh atëherë, ajo ka kultivuar dhe zhvilluar pasionin e saj në botën e letrave, tingujve dhe lëvizjes, sidomos me baletin modern. Ka punuar me balerinë dhe koreografë francezë nga më të njohurit. Si shkrimtare, ka botuar “Kamila, si flutur” që i vjen sot lexuesit shqiptar – libër që fitoi çmimin e parë për romanin debutues dhënë nga revista Lire; — La Suture (2016) dhe Au Grand Lavoir (2018), fitues i Çmimit Europian për Letërsinë, që do të botohet së shpejti edhe në gjuhën shqipe.

Fragmente nga libri

1) Ti kishe pak dhembje koke dhe ndieje sikur kishe ethe, por ngule këmbë që të komentoje shfaqjen. Ishe entuziaste, pjesa teatrore të vërtitej në kokë, nuk reshtje së kënduari me zë të ulët valsin e kolonës zanore, doje ta shihje sërish të nesërmen pjesën, Batisti mund të të gjente bileta falas; pastaj edhe një mbrëmje tjetër me Batistin, hë? Mos kishe rënë gjë në dashuri me të? Ti ma prite: “Ufff, ç’ia fut kot!”, duke ngritur sytë nga qielli. Megjithatë, të mata temperaturën. Re të flije me 38° dhe me kokën e rënduar. Nuk u ngrite më kurrë.

2) Kjo kafshëz që priste ushqimin e saj, ndërsa çokokokrrat e tua nuk do të vononin të mykeshin në dollap, na mbajti ndoshta nga ana e jetës.

3) Në ditët më pas do t’i shpërndajmë shtatëdhjetë e shtatë lodrat e tua prej pelushi, një nga një ose dy nga dy, nëpër hendekë fshatrash, nëpër çeltira, nëpër shkëmbinj. Të bukur janë ata arushë, ata lepuj, ato mace të vogla të lëna mbi qilimat prej myshku, që lagen nga shiu poshtë luleshqerrave.