Përfaqësuesit e Unionit të Transportit Publik kanë njoftuar se duke filluar nga dita e sotme, datë 18 tetor 2021, do të përgjysmojnë numrin e mjeteve urbane me të cilat operojnë. Në njoftim theksohet se ky vendim vjen si pasojë e situatës së shkaktuar prej më shumë se një viti nga pandemia, rritjes së naftës, largimit të stafit dhe mosplotësimit të kërkesave që kanë bërë në institucionet vendore dhe ato qëndrore.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar,

Përfaqësuesit e Unionit të Transportit Publik, ju vënë në dijeni se pas një viti e gjysmë nga rihapja e transportit publik, ndodhemi ende në pikën fillestare ku asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk ka marrë asnjë masë apo plotësim të kërkesave ekonomike të premtuara.

E të gjendur në këtë situatë të pafuqishme ekonomike për të përballuar ecurinë e transportit, dhe sidomos pas rritjes së vazhdueshme e të pandërprerë të çmimit të naftës dhe të largimit të stafit, jemi të detyruar që të operojmë nga data 18.10.2021 me gjysmën e kapaciteit të flotës së mjeteve urbane.

Jemi në këtë situatë pas shumë kërkesash dhe njoftimesh si në institucionet vendore dhe ato qëndrore, ku mosreagimi i tyre na bën që të shkojmë deri në një kapitullim ekonomik të këtij sektori. Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, mbetemi në pritje të zgjidhjes së kërkesave tona nga ana e institucioneve përgjegjëse.