Prokuroria ka ndryshuar hetimet për vdekjen e 4 turistëve rusë në një hotel në Qerret të Kavajës. Vdekja e tyre është regjistruar për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, por pa autor.

Grupi hetimor zhvilloi këtë të hënë një mbledhje sa u takon rezultateve të deritanishme të hetimeve dhe burimet thanë se dyshimet kryesore janë ato të asfiksisë, për të cilën pritet që të përcaktohet qartë nga se ka ardhur vetëm pas akt ekspertimeve të plota.

Që prej tri ditësh, përfaqësues të ambasadës ruse janë duke ndjekur nga afër hetimet që po kryhen, teksa në mesditë ishin sërish pranë Mjekësisë Ligjore, përgjigja e së cilës mbetet kyçe për daljen në konkluzion.

Hetuesit kanë kërkuar pranë ISHP-së përgjigje për nivelin e klorit në ujin e pishinës së ngrohtë, pasi një nga dyshimet është asfiksia nga avujt e klorit.

Bashkeshortët Natali dhe Sergei Burenkova, 58 dhe 60 vjeç, vajza e tyre Ekaterina 31 vjeçe dhe bashkëkorti i saj Nikita Belousov 37 vjeç, gjetën vdekjen brenda pak minutash dhe nga i njëjti shkak vetëm pak orë pasi ishin akomoduar në hotelin luksoz në Qerret.