34-vjeçarja që ndërmori ditën e djeshme aktin e rëndë, duke u hedhur nga kati i pestë i një pallati në Vlorë bashkë me fëmijën 1 vjeç në krahë, ka tronditur të gjithë vendin.

Pamela Mërtiti punonte si farmaciste në Tiranë, në biznesin e saj. Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, ka publikuar një foto të Mërtirit dhe shkruan se ajo ishte diplomuar në vitin 2011.

“Komuniteti i farmacistëve dhe mbarë opinioni publik u trondit sot nga ndarja nga jeta në mënyrë tragjike e koleges sonë Pamela Mërtiri dhe djalit të saj. Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve, miqëve, kolegëve dhe gjithë të dashurve të tyre, për këtë ikje të parakohshme. Kush ishte Pamela Mërtiri, për të gjithë ata që nuk patën fatin ta njihnin”, shkruan Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë.

Ndërkohë banorët e lagjes ku ndodhi ngjarja e rëndë janë shprehur të tronditur. Ata kanë treguar se kanë qenë të parët që i dhanë ndihmën e parë, por ajo dhe foshnja nuk mundën të jetonin.