Bullgaria do të duhet të paguajë 13 milionë euro për familjarët e viktimave nga aksidenti në Strumë, ku humbën jetën 45 persona, raportojnë mediat e huaja.

Nëse në përfundim të hetimeve rezulton se kushtet e rrugës janë shkaku i vdekjes së 45 personave, Bullgaria do të duhet të paguajë nga 100.000 deri në 125.000 euro për secilin prej prindërve të të aksidentuarve.

Fëmijët e rritur pa prindër mund të marrin deri në 100.000 euro për një prind të humbur, dhe për një vëlla, motër, gjyshe ose gjysh të vdekur shuma është rreth 25.000 mijë euro.

Sipas informacioneve fillestare, disa firma të mëdha ligjore bullgare kanë ofruar tashmë ndihmë për qeverinë maqedonase në mbrojtjen e interesave të të afërmve përpara një gjykate bullgare.

“Faji për aksidentin është kompleks, si për shoferin e autobusit ashtu edhe për infrastrukturën në zonën e aksidentit”, tha avokati Nikolai Dimitrov. Sipas tij, në leximin e parë shoferi nuk i ka respektuar kushtet e rrugës, të cilat kanë pasur ulje të shikueshmërisë, por nga ana tjetër mund të vërtetohet se fajin e ka kushtet e rrugës, përkatësisht infrastruktura dhe mirëmbajtja e saj.

Aksidenti i rëndë u regjistrua rreth orës 02:00 në autostradën Struma pak ditë më parë, 40 kilometra në jug të Sofjes, ku mes viktimave ishin edhe 12 fëmijë. Për shkak të ngjarjes së rëndë, Kosova shpalli 24 nëntorin ditë zie, ndërsa Maqedonia e Veriut, ka shpallur tre ditë zie në nder të 45 viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik.