Pas marrjes së dozës së tretë të vaksinës, në një komunikim për mediat, Rama u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të vaksinohen, ndërsa paralajmëroi se mund të vijë momenti kur mund të kërkohet edhe pasaporta e vaksinimit për të shkuar në punë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri u shpreh se vaksina kundër COVID-19 nuk të mbron nga infektimi, por nga vdekja, pasi personat e vaksinuar e kalojnë virusin me simptoma më të lehta.

“Bëra sot dozën e tretë me zgjedhje të rastësishme. Unë nuk e kuptoj dot se si në shekullin XXI nuk i besohet shkencës. Si ka mundësi që kjo të jetë një lojë dhe asnjë kanal serioz informimi të mos flasë. I është mbyllur goja të gjitha mediave të botës dhe i është hapur goja atyre që nuk kanë lidhje me shkencën. Flasim për t'u vaksinuar të gjithë akademitë e botës dhe flet kundër vaksinash një lumë konspiracioni në Facebook e internet. Kjo është skandaloze dhe të fyesh inteligjencën tënde që në vend ti besosh shkencës apo fakteve. Vaksina nuk të mbron nga infektimi por nga vdekja, e kalojnë në simptoma të lehta. 

I them të gjithëve se mund të vijë moment i që të ndalohen të shkojnë në punë pa pasur kartelën e vaksinimit online . Mund të vijë momenti që nuk mund të lejojnë të hyjnë në markete, u them edhe atyre që kanë dyqane të vaksinohen sepse mund t'u mbyllet dyqani. Nuk mund të rrezikohet për shkak se një pjese i bën kërshillëk shkencës”, tha Rama.

Gjithashtu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj në Parlament, tha se duke filluar nga sot, të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç mund të vaksinohen me dozën e tretë të vaksinës, 6 muaj pasi kanë kryer dozën e dytë.