Të gjithë ata që janë rritur me përralla në fëmijëri, me siguri e kanë projektuar në kokë vendin ku pushonin zanat – hapësirën e paanë, paqësore, magjepsëse, të bërë një me natyrën – gati-gati si një kopsht Edeni.
Vendi ku pushon ‘Zana’ jonë është paralelisht një vend i tillë: vend përrallash. Sepse ka aftësinë e jashtëzakonshme të të tërheqë brenda me një forcë ta pashpjegueshme graviteti shpirtëror, sa asnjë gjini tjetër arti nuk mundet ta bëjë.
Anjeza Kolevica, një emër i njohur në art, prej më shumë se 2-vjetësh ka punuar për të sjellë para artdashëve dhe sidomos adhuruesve të qeramikës, një ekspozitë me punimet e saj unike.
Në një kohë kur arti gjithmonë e më shumë përpiqet të sfidojë çdo pengesë, të servirur nga koha që jetojmë, Anjeza bën përpjekje jo vetëm për të mbajtur gjallë, por edhe për të na bërë të jetojmë në një botë tjetër shpirtërore që pakkush ia ndjen nevojën.
Duke e vazhduar traditën familjare, krahas karrierës akademike, Anjeza hap të parën ekspozitë personale. Në fokus të saj veçohen punimet në qeramikë monumentale. Si e vetmja artiste femër që punon në të tilla dimensione, Anjeza ruan me fanatizëm edhe pikën e fortë të saj – artin e poçerisë – që do të jetë gjithashtu i prezantuar me disa variacione në ekspozitë.
Ekspozita është e hapur ditën e hënë pasdite, në 18:00, në hotel “Plaza”.
Anjeza Kolevica
Anjeza Kolevica ka lindur në Korçë, më 9 gusht 1984, nga një familje artistësh. Ka kryer studimet në Itali, në Institutin e Arteve “Francesco Antonio Grue”, ku është diplomuar me titullin “Maestro d’Arte” dhe specializuar në teknologjinë e qeramikës dhe të glazurave. Vjen nga një familje artistësh, gjyshi piktor, babai skuptor i mirënjohur, Vasillaq Kolevica, i cili zotëron atelienë më të madhe të qeramikës në Ballkan. Anjeza është e katërta në brez që trashëgon profesionin e familjes, artin e qeramikës.
Kolevicat, një mbiemër i shquar në fushën e arteve vizive, arkitekturës dhe muzikës, gjithmonë kanë dhënë kontributin e tyre në sferën artistike dhe kulturore jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Pjesëmarrëse në shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit dhe e vlerësuar me çmime të veçanta, Anjeza vazhdon të ndjekë gjurmët e paraardhësve të familjes së saj, duke iu dedikuar me kohë të plotë zhvillimit të artit të qeramikës kontemporane.