Boris dhe Carrie Johnson e kanë quajtur vajzën e tyre të sapolindur Romy Iris Charlotte.

Kryeministri britanik e zbuloi emrin për gazetarët gjatë një vizite në një qendër vaksinimi në Kent, ndërsa gruaja e tij postoi emrin e saj të plotë në Instagram.

"Romy, sipas tezes sime, Rosemary. Iris nga greqishtja, që do të thotë ylber. Charlotte, sipas nënës së ndjerë të Boris, e cila na mungon shumë," -shpjegoi Carrie.

Romy lindi në spitalin e Kolegjit Universitar në Londër më 9 dhjetor. Ajo është fëmija i dytë i çiftit pas lindjes së Wilfred në prill të vitit 2020.

Duke zbuluar më shumë detaje për fëmijët e saj, Carrie Johnson shkroi:

"Wilf ka përkëdhelur flokët e Romy-t, duke i dhënë puthje të mëdha dhe duke luajtur me makinat e tij pranë krevatit të saj, vetëm në rast se edhe ajo dëshiron t'i bashkohet".

Ajo falënderoi gjithashtu stafin e UCLH për kujdesin ndaj saj dhe vajzës së saj.

Çifti u martua në maj në një ceremoni të planifikuar fshehurazi në Katedralen e Westminsterit, duke e bërë Boris Johnson kryeministrin e parë britanik që u martua ndërsa ishte në detyrë në gati 200 vjet.

Johnson dhe gruaja e tij e mëparshme, Marina Wheeler, njoftuan në vitin 2018 se po divorcoheshin pas 25 vitesh martesë. Më parë ai ishte i martuar me Allegra Mostyn-Owen.

Kryeministri është pyetur vazhdimisht se sa fëmijë ka, por tha se nuk do të fliste për jetën e tij personale. Megjithatë, gjatë një udhëtimi në SHBA në shtator, ai tha për NBC se kishte 6 fëmijë pas lindjes së Wilfred - 4 të tjerë me Wheeler dhe 1 me konsulenten e artit Helen Macintyre. Kështu Romy i bie të jetë fëmija i shtatë për Johnson.