Vetëm pak ditë para netëve finale të Eurovisionit, i cili këtë vit do të mbahet në Torino, Itali, më 10 maj, përfaqësuesja shqiptare Ronela Hajati ka vënë të gjithë rrjetin në lëvizje e sidomos fansat e saj.

“Sekret”, kënga që do prezantojë Ronela në festivalin europian të këngës, ka siguruar mijëra pëlqime në rrjet, ndaj edhe lëvizja e fundit nga faqja zyrtare e Eurovision në Instagram i ka revoltuar fansat e Shqipërisë.

Fotot dhe videot e performancës së artistes shqiptare, të postuara të shtunën pasdite, morën vëmendje maksimale dhe u pëlqyen nga më shumë se 25 mijë ndjekës, por më vonë është vënë re se faqja zyrtare e Eurovisionit i ka fshirë dhe ka ripostuar disa, por pa përfshirë ato që konsideroheshin më provokuese.

I pari që e vuri re dhe që ngriti pyetjen në rrjet ishte William Lee Adams, blogeri dhe moderatori i njohur i Wiwibloggs (faqja zyrtare e Eurovision) dhe pas tij, edhe fansat e artistes shqiptare, të cilët kanë reaguar dhe kanë kërkuar shpjegim për këtë veprim censurues.

Mendohet se disa fotografi të postuara nga performanca janë konsideruar provokuese, ndaj edhe faqja ka fshirë disa dhe ka postuar disa të tjera.

Lidhur me këtë ngjarje, këngëtarja shqiptare ka postuar sot një emoji duke qarë në profilin e saj në Twitter.