Nata e tretë e fluturimit të pestë do të vijë sonte me të tjera surpriza dhe të tjerë të ftuar mjaft interesantë. Ju tani i keni spikatur gazetarët e vegjël të mbrëmjes së të hënës, për humorin dhe gjallërinë që kanë. Ata nuk e kanë problem çfarë kanë përballë, madje sado të vështirë të jenë personazhet, aq më shumë dëshirë kanë ata t’i ngacmojnë dhe të zbulojnë gjëra të reja.

Anija e Piter Panit, edhe sonte është gati dhe skena do të ketë të tjerë personazhe mjaft interesantë.

Kush janë të ftuarit e mbrëmjes së sotme?

Albërie Hadërgjonaj, një mikeshë e Tv Klan dhe e programeve të tij, rikthehet sonte në anijen e Piter Panit, për të zbuluar të rejat e fundit të saj. Disa projekte në muzikë nuk do të jenë të vetmet që Albëria do të zbulojë sonte përballë gazetarëve të vegjël të Piter Panit. Jeta mes Shqipërisë dhe Amerikës ka gjithmonë dinamika dhe shumë histori për të rrëfyer. Albëria, me natyrën e hapur që ka, me siguri do t’i japë përgjigje kureshtjes së fëmijëve për jetën e saj profesionale, por edhe personale, pse jo?

Për raportin e veçantë me të bijat, por edhe për lidhjen mistike me mbesën e saj, Albëria ka gjithmonë shumë për të folur. Ndiqeni sonte dhe mësoni të rejat e gjyshes më të re që njihni.

Florjan Binaj

Një prej aktorëve dhe personazheve më të dashur të ekranit, Florjan Binaj rikthehet në Piter Pan për të zbuluar të rejat e jetës së tij. Pas shumë viteve në spektaklin e humorit “Portokalli”, Florjan Binaj ka nisur një program investigues së bashku me Arilena Arën, por ka edhe shumë plane të tjera, të cilat pret t’i realizojë shpejt. Nga ana tjetër, si baba i 3 fëmijëve, Flori di edhe të “manovrojë” me anijen e Piter Panit, kështu që bëhuni gati që prej tij të zbuloni të reja.

Pyetjet pikante të fëmijëve nuk do të mungojnë, por edhe përgjigjet interesante të personazheve gjithashtu. Qëndroni gati për një natë tjetër interesante në ekranin e Tv Klan.