Nata e sotme në Piter Pan do të jetë me shumë surpriza. 10 gazetarët e vegjël të anijes fluturuese sonte do të kenë përballë dy personazhe shumë interesantë, të cilët nuk e kanë lënë asnjëherë fëmijën brenda vetes.

Tashmë, vogëlushët e Piter Panit janë përgatitur t’i futin në kurth të ftuarit, madje edhe t’i provokojnë me pyetjet e tyre pikante dhe pa filtra. Anija e Piter Panit, edhe sonte është gati dhe skena do të ketë të tjerë personazhe shpërthyese.

Kush janë të ftuarit e mbrëmjes së sotme?

Klaudia Pepa është balerina që na ka nderuar në çdo skenë ku ka kërcyer. Me një karrierë të gjatë në Shqipëri dhe pas saj, edhe në Itali, Klaudia ka nisur prej pak kohësh edhe kinemanë. Protagonistja luan rolin e një balerine në filmin me metrazh të shkurtër, kështu që skenari është në përshtatje të plotë të jetës së saj. Megjithatë, Klaudia po pret që shumë shpejt të jetë pjesë e ndonjë filmi me metrazh të gjatë, në mënyrë që edhe rruga drejt kinemasë të jetë me thjeshtë.

Për koreografinë e Eurovisionit, e cila u komentua gjatë, për projektet që ka në plan dhe ato që do të realizojë në të ardhmen e afërt, Klaudia është sonte përballë fëmijëve të vegjël të Piter Panit.

Ermal Mamaqi është gjithmonë i dashur përpara fëmijëve, sepse ai kurrë nuk e harron fëmijën brenda vetes, përkundrazi e ushqen atë pjesë që të mos i largohet nga vetja.

Sonte, Ermali rikthehet në Piter Pan për t’u përballur me gazetarët e vegjël që nuk do t’ia kursejnë ngacmimet. Kur do të rikthehet në ekran? Cilat janë planet që ka për kinemanë dhe filmat e rinj që do të realizojë së shpejti? Këto dhe shumë pyetje të tjera do të gjejnë përgjigje mbrëmjen e sotme në Kurthin e Piter Panit.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Family TV Show (@nekurthinepiterpan5)