Ishte nata e ndërrimit të viteve hera e parë kur Rudina Magjistari doli në ekran dhe prezantoi programin festiv të Vitit të Ri. Ishte një vit i vështirë, i rrëmujshëm, po edhe me shumë emocione për Rudinën. Sonte, nga Kurthi i Piter Panit, moderatorja e njohur e Tv Klan, ndau me fëmijët dhe publikun edhe emocionet e para nga programi i saj i parë: “Kam qenë 15 vjeç kur e nisa punën në televizion. Ishte një vit pak i rrëmujshëm, '90-'91. Kam qenë shumë e emocionuar. Dhe mbaj mend që fjalia që kam përsëritur më shpesh ka qenë “Jam shumë e emocionuar, kështu që do ma falni ndonjë lapsus që mund të bëj...”

Një vit më vonë, vetëm 16 vjeç, Rudinës iu besua prezantimi i Festivalit të dhjetorit 1991, së bashku me regjisoren Vera Grabocka. Edhe ai, një kujtim mjaft i rëndësishëm për të, duke qenë se ishte një festival që ka bërë historinë, ishte i pari që pranoi muzikën moderne, me grupe të rinjsh që kishin nisur të lëvronin muzikë të re më frymë perëndimore, si asnjëherë më parë në traditën e festivaleve shqiptare: “Ishte festivali më i rëndësishëm që kam bërë, sepse ai hyn tek ato festivale historikë. Ishte hera e parë që u ngjit muzika moderne dhe grupet e reja muzikore, ishte edhe iniciativa e Vera Grabockës”, – tha Rudina në Piter Pan.