Ky diamant i rrallë rozë, me peshë 34 gram, mendohet të jetë më i madhi i zbuluar në 300 vitet e fundit.

Guri 170 karatësh ka marrë emrin "Lulo Rose", sipas minierës në Angola ku u gjet.

Besohet të jetë diamanti më i madh rozë i nxjerrë që nga Daria-i-Noor 185 karatësh, i cili u pre nga një gur më i madh dhe tani është ndër bizhuteritë kombëtare iraniane.

Lulo Rose është një diamant i tipit 2a, që do të thotë se ka pak ose aspak papastërti, dhe është diamanti i pestë më i madh i gjetur nga miniera Lulo.

Diamante të ngjashme janë blerë për dhjetëra miliona dollarë në të kaluarën, rikujtojmë atë të quajtur Pink Star - i shitur në një ankand në Hong Kong për 71.2 milionë dollarë në vitin 2017.

Por është e pamundur të spekulohet se sa do të shitet Lulo Rose, tha Joanna Hardy, një specialiste e pavarur e bizhuterive të çmuara. Hardy tha se guri nuk ka gjasa të shihet nga publiku apo të dalë në ankand, pasi shitësit me pakicë kanë klientë që presin prej kohësh për një gjetje kaq të rrallë.